Klintonët kërkojnë seancë publike për dosjen “Epstein”
dhe
kërkojnë dëshmi publike në Kongres për çështjen
Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, kanë kërkuar që dëshmitë e tyre para Kongresit të zhvillohen publikisht, në lidhje me hetimin mbi marrëdhëniet e financierit të dënuar për trafik seksual, Jeffrey Epstein, me figura të njohura politike dhe ekonomike.
Të dyve u ishte kërkuar të dëshmonin me dyer të mbyllura përpara Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili po heton lidhjet e Epstein me personalitete të fuqishme dhe mënyrën se si institucionet kanë trajtuar informacionin mbi aktivitetin e tij kriminal.
Demokratët pretendojnë se hetimi po përdoret për qëllime politike nga republikanët, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të goditur kundërshtarët e presidentit aktual Donald Trump. Sipas tyre, procesi ka devijuar nga mbikëqyrja legjitime institucionale.
“Mbajtja e dëshmisë me dyer të mbyllura do të ishte e ngjashme me një ‘gjykatë kangur’,” deklaroi Bill Clinton, duke përdorur termin që nënkupton një proces të padrejtë apo të manipuluar. Ai shtoi: “Le t’i lëmë lojërat dhe ta bëjmë këtë në mënyrën e duhur: në një seancë dëgjimore publike.”
Edhe Hillary Clinton, ish-sekretare e Shtetit, u shpreh se çifti ka informuar tashmë komitetin për gjithçka që dinë. “Nëse e doni këtë luftë… le ta bëjmë publikisht,” tha ajo.
Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Drejtësisë publikoi një tjetër paketë dokumentesh në kuadër të dosjes “Epstein”, që përfshin mbi 3 milionë dokumente, fotografi dhe materiale video nga hetimet ndaj financierit, i cili u dënua për trafik dhe abuzim seksual dhe vdiq në vitin 2019 në paraburgim, në rrethana që u cilësuan si vetëvrasje.
Emri i Bill Clinton përmendet në dokumente, por deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë që implikon atë apo bashkëshorten e tij në aktivitet kriminal. Ish-presidenti ka pranuar se ka udhëtuar me avionin privat të Epstein në fillim të viteve 2000 për angazhime humanitare të lidhura me Fondacionin Clinton, por ka mohuar se ka vizituar ndonjëherë ishullin privat të financierit.
Hetimet mbi dosjen Epstein vijojnë të mbeten një nga çështjet më të debatueshme politike dhe juridike në SHBA.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



