E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Koha për një Këshill Kombëtar Post-Tranzicion
Lajme

Koha për një Këshill Kombëtar Post-Tranzicion

Lëvizja që mori emrin nga Flamingot është shenjë se tranzicioni po mbaron dhe Shqipëria po futet në një epokë të re. Kjo lëvizje po shtyn përpara idealin Lëvizjes së Dhjetorit 90, të lënë në mes nga elita e kapur e tranzicionit.

Lëvizja Flamingo mund të zgjojë shoqërinë, mund të thyejë frikën, mund të rrëzojë iluzionin, mund të delegjitimojë një model pushteti. Por, e vetme, ajo nuk mund të bëjë gjithçka. Ajo nuk mund të shkruajë e vetme ligje të reja, të ndërtojë mekanizma kontrolli, të hartojë platforma zhvillimi, apo të krijojë institucione të reja shoqërore. Ajo nuk mund të përkthejë vetë revoltën morale në realitet politik.

Prandaj Lëvizja nuk duhet të mbyllet vetëm me numra në shesh, me fjalime, me pankarta, me entuziazëm apo, mos e dhëntë Zoti, me lodhje. Ajo duhet të prodhojë instrumente të reja politike dhe shoqërore. Lëvizja Flamingo duhet të prodhojë një rend të ri përfaqësimi, një gjuhë të re publike, dhe një kontratë të re midis qytetarëve, territorit, pasurisë publike dhe shtetit.

Për këtë arsye mendoj se është koha të propozohet krijimi i një Këshilli Kombëtar për Republikën Post-Tranzicion apo një Aleancë e Virtytit. Nuk propozoj një parti politike apo një komitet elektoral, as ndonjë instrument për zëvendësimin e protestës, që nuk duhet ndalur por duhet fuqizuar çdo ditë, por një trupë publike, morale, intelektuale dhe qytetare, të përbërë nga njerëz me integritet, dije, përvojë, kurajë dhe autoritet shoqëror, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, diaspora dhe të gjitha trojet shqiptare.

Ky këshill do të kishte një detyrë të qartë: të përkthejë arritjet e protestës në realitete të qëndrueshme politike dhe shoqërore.

Të mos lejojë që energjia e kësaj Lëvizjeje të shpërdorohet, të kapet, të harrohet apo të kthehet në dekor të tranzicionit të vjetër.

Sepse problemi ynë nuk është vetëm Edi Rama por është modeli i tërë i tranzicionit që e ka trajtuar Shqipërinë si plaçkë, qytetarin si spektator, shtetin si pronë private, territorin si mall dhe të ardhmen si pazar mes të njëjtëve aktorë.

Ky model nuk rrëzohet vetëm duke protestuar kundër tij. Duhet ndërtuar një rend tjetër.

Ky rend nuk mund të vijë nga figurat e konsumuara të tranzicionit, nga pazaret e vjetra, nga mediat e kapura, nga oligarkia politike apo nga ata që kanë jetuar tridhjetë vjet duke shitur si zgjidhje po atë problem që vetë e prodhojnë periodikisht.

Na duhen njerëz që nuk janë peng i kësaj loje dhe që kanë kapital moral, intelektual dhe qytetar.

Na duhen njerëz nga të gjitha hapësirat shqiptare, sepse Shqipëria post-tranzicion nuk është vetëm çështje e Tiranës. Është çështje kombëtare dhe çështje e shqiptarëve kudo ku jetojnë, sepse pasuria, dinjiteti dhe e ardhmja e Shqipërisë nuk janë pronë e një qeverie, një partie apo një elite të përkohshme.

Kjo listë nuk është përfundimtare, as nuk është e mbyllur. Ajo është propozim për debat publik.

Por një gjë është e qartë: protesta ka nevojë për një hap të dytë.

Hapi i parë është zgjimi.

Hapi i dytë është organizimi.

Hapi i tretë është përkthimi i zgjimit në institucione, ligje, garanci dhe fuqi shoqërore.

Pa këtë hap të dytë dhe të tretë, protesta rrezikon të mbetet një moment i bukur moral. Me këtë hap, ajo mund të bëhet fillimi i Shqipërisë post-tranzicion.

Prandaj propozoj që personalitete si këta më poshtë, dhe shumë të tjerë që mund t’i shtohen kësaj liste, të thirren publikisht për të marrë përgjegjësi qytetare, jo për të zëvendësuar protestën, por për t’i dhënë asaj vazhdimësi, formë, drejtim dhe instrumente.

Afrim Krasniqi
Alban Çuli
Altin Gjeta
Ardian Muhaj
Artan Fuga
Artan Gjergji
Artan Rama
Auron Tare
Baki Goxhaj
Çelo Hoxha
Dorian Matlija
Doriana Musai
Elmaz Fida
Elona Caslli
Enis Sulstarova
Enkelejda Havari
Enriketa Papa
Enver Bytyçi
Erion Kristo
Ermal Hasimja
Eva Buzo
Fabian Zhilla
Fatjona Mejdini
Fatos Lubonja
Florian Hackaj
Genc Sejko
Gjergj Erebara
Gjergji Thanasi
Joni Vorpsi
Jusuf Buxhovi
Kastriot Çipi
Kim Mehmeti
Klodian Rado
Klodian Tomorri
Klodiana Lala
Lea Ypi
Luciana Kokaj
Lutfi Dervishi
Marin Mema
Mentor Beqa
Migen Qeraxhi
Milazim Krasniqi
Neritan Sejamini
Ola Xama
Osman Stafa
Panajot Soko
Redi Shehu
Rigels Xhemollari
Romeo Gurakuqi
Rudian Zekthi
Shinasi Rama
Zef Preçi

Këta emra nuk janë konsultuar prej meje dhe kjo listë nuk nënkupton angazhim apo miratim nga ana e tyre. Është një thirrje publike, e bërë me respekt, por edhe me urgjencën e kohës: njerëzit që kanë autoritet moral, dije dhe besueshmëri publike duhet të thirren të marrin përgjegjësi kur vendi ka nevojë për një hap përtej protestës.

Këta emra nuk janë të gjithë njësoj. Nuk mendojnë njësoj. Nuk vijnë nga e njëjta traditë. Nuk kanë të njëjtën gjuhë politike, akademike apo publike. Po pikërisht kjo është arsyeja pse vlejnë si pjesë e të njëjtës trupë morale.

Sepse Shqipërisë nuk i duhet një sekt, por nje aleancë që nuk është aleancë pushteti, por aleancë virtyti, përgjegjësie dhe mendimi.

Nëse protesta është zëri i Shqipërisë që refuzon të shitet, ky këshill duhet të jetë mendja dhe dora që e kthen këtë refuzim në rend të ri publik.

Përndryshe, do të fitojmë një betejë dhe do të humbasim shumë dekada të tjera në shkretëtirë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.