E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Konfiskohet godina 9-katëshe e ish-Universitetit “UFO” në Fier
Lajme

Konfiskohet godina 9-katëshe e ish-Universitetit “UFO” në Fier

Objekti në pronësi të ish-deputetit të PD-së Astrit Veliaj ishte ndërtuar pa leje

Pas më shumë se 12 vitesh betejash ligjore dhe administrative, qeveria ka vendosur të konfiskojë godinën 9-katëshe në qendër të Fierit, e njohur si ish-Universiteti UFO, një objekt i ndërtuar nga ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Veliaj.

Me një vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU), kryeministri Edi Rama ka firmosur konfiskimin e godinës, e cila fillimisht ishte ndërtuar me qëllim funksionimin si universitet privat, por më pas nuk arriti të vijojë aktivitetin e parashikuar.

Sipas vendimit zyrtar, objekti rezulton të jetë ndërtuar pa leje ndërtimi, ndërsa për këtë çështje ndër vite janë zhvilluar procedime penale, procese gjyqësore dhe janë marrë vendime administrative. Dokumentet bëjnë të ditur se Bashkia Fier nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi për kompaninë e ish-deputetit.

Aktualisht, godina ndodhet jashtë funksionit dhe pa shërbime aktive, ndërsa pas konfiskimit pritet që ambientet e saj të përdoren për vendosjen e disa institucioneve shtetërore.

Vendimi i KKTU-së për konfiskimin e godinës 9 katëshe ku ka qenë Universiteti privat UFO, në Fier
Vendimi i KKTU-së për konfiskimin e godinës 9 katëshe ku ka qenë Universiteti privat UFO, në Fier

KKTU vendosi konfiskimin, dokumentet u finalizuan në korrik 2026

Sipas dokumenteve të siguruara dhe të shqyrtuara, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka marrë vendimin për konfiskimin e godinës në mbledhjen e datës 25 shtator 2025, ndërsa procedurat përfundimtare dhe dokumentacioni janë plotësuar më 10 korrik 2026, kur vendimi është bërë definitiv.

Vendimi është marrë mbi bazën e disa dispozitave ligjore, si dhe një vendimi të datës 18 qershor 2025 të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara.

Në dokumentet zyrtare thuhet:

“Me propozim të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit vendosi konfiskimin për interes publik të objektit të ndërtuar pa leje ndërtimi me qëllim fitimi ‘Objekt 9 kate + 4 kate + 2 kate nëntokë’, me vendndodhje në Bashkinë Fier, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘Ufo’ sh.p.k”.

Çfarë parashikon vendimi për godinën e konfiskuar?

Në vendimin e qeverisë bëhet e ditur se hartë e planvendosjes së strukturave do t’i bashkëngjitet vendimit si pjesë përbërëse e tij.

Sipas dokumentit, autoriteti përfitues i konfiskimit ose subjekti zhvillues, në varësi të rastit, duhet të aplikojë përmes sistemit e-Leje pranë Sekretariatit Teknik të KKTU-së për miratimin e lejes përkatëse.

Pas miratimit të lejes, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të lëshojë certifikatën e përdorimit, në përputhje me vendimin e marrë dhe planvendosjen e miratuar.

Hetimi ndaj Astrit Veliaj nisi në vitin 2014

Çështja e godinës së ish-Universitetit UFO ka qenë prej vitesh në vëmendjen e institucioneve të drejtësisë. Sipas të dhënave të bëra publike, ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike, Astrit Veliaj, është zhvilluar një hetim i nisur në vitin 2014 nga Prokuroria e Fierit dhe më pas nga Prokuroria e Përgjithshme, pasi në atë periudhë ai gëzonte imunitet si deputet.

Hetimi nisi pas kallëzimeve penale të depozituara nga disa qytetarë të Fierit, të cilët ngritën shqetësime për mënyrën e ndërtimit të objektit.

Godina e Universitetit UFO nisi të ndërtohej në qytetin e Fierit gjatë vjeshtës së vitit 2012. Hetimi i nisur më shumë se një dekadë më parë lidhej me dyshimet se struktura kishte filluar të ngrihej pa marrë më parë lejet e nevojshme të ndërtimit.

Objekti, i cili u kthye në një nga ndërtesat më të dallueshme të qytetit, ngjan në pamje me Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të dy anët e shkallëve të hyrjes ndodhen edhe dy shtatore disa metra të larta, që janë pjesë e arkitekturës së godinës.

 Godina 9 katëshe e ish Universitetit UFO në Fier, tashmë e konfiskuar
Godina 9 katëshe e ish Universitetit UFO në Fier, tashmë e konfiskuar

Pavarësisht problematikave ligjore, në një kohë rekord godina u përfundua dhe mirëpriti studentët gjatë vitit akademik 2013-2014, duke funksionuar për një periudhë si ambient universitar me salla dhe auditore të shumta.

Objekti është ndërtuar në hapësirat ku më parë ndodheshin Komisariati dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier, të cilat më vonë u zhvendosën në periferi të qytetit.

Pas vendimit të fundit të KKTU-së, godina 9-katëshe e ish-Universitetit UFO kalon në administrimin publik, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar konkretisht destinacioni i ri që do të ketë ky objekt në të ardhmen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.