Konflikt i dhunshëm në poliklinikë, 18-vjeçari plagos 32-vjeçarin
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Shkodër, ku një 18-vjeçar ka plagosur një 32-vjeçar pas një konflikti të çastit mes tyre. Sipas informacioneve paraprake, i riu Arvin Fregjaj ka sulmuar Vildan Kepëcën brenda ambienteve të poliklinikës së qytetit dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
I dëmtuari është transportuar menjëherë drejt spitalit, ku po merr trajtim mjekësor dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, situata ka rrezikuar të përshkallëzohet më tej. Gjatë ndërhyrjes, policia ka marrë informacion se vëllai i të plagosurit, 41-vjeçari Arben Kepëca, i revoltuar nga ngjarja, ishte nisur i armatosur me qëllim hakmarrjeje.
Forcat e rendit kanë reaguar në kohë duke e ndaluar atë gjatë tentativës për t’u larguar. Gjatë kontrollit, ai ka hedhur armën e zjarrit që mbante me vete, por është arrestuar menjëherë nga policia.
Autoritetet vijojnë kontrollet për kapjen e autorit të plagosjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë konflikt të dhunshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



