Vrasja në Fier, Drejtori i Policisë zbulon detajet e fundit
35-vjeçari që vrau ish-vjehrrin refuzon dorëzimin dhe kërcënon me vetëvrasje
Situata në terren mbetet kritike, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në Roskovec vijon të jetë i rrethuar nga forcat e policisë dhe refuzon të dorëzohet.
Drejtori i Policisë së Fierit, Erion Ahmeti, ka dhënë detaje të reja mbi zhvillimet më të fundit, duke bërë të ditur se 35-vjeçari po bën rezistencë aktive dhe ka kërcënuar se do t’i japë fund jetës nëse efektivët i afrohen.
“Autori i dyshuar vijon të bëjë rezistencë, duke kërcënuar: ‘Mos m’u afroni se do të vras veten’”, u shpreh Ahmeti.
Sipas tij, familjarët nuk janë përfshirë në procesin e negociatave për dorëzimin e të dyshuarit, ndërsa strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit po zhvillojnë bisedimet për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Autoritetet kanë ngritur një perimetër të gjerë sigurie në zonën ku dyshohet se ndodhet 35-vjeçari, me qëllim izolimin e tij dhe mbajtjen nën kontroll të rrethanave në terren.
“Është krijuar një perimetër i gjerë për lokalizimin e tij”, deklaroi drejtori i Policisë së Fierit, duke theksuar se operacioni po vijon me kujdes maksimal.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, 35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se vrau ish-vjehrrin e tij, plagosi ish-vjehrrën dhe më pas mori me forcë ish-bashkëshorten, duke u larguar nga vendngjarja.
Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet lidhet me konfliktet pas ndarjes së çiftit. Dyshohet se ai nuk e pranonte ndarjen e kërkuar nga ish-bashkëshortja, çka mund të ketë ndikuar drejtpërdrejt në përshkallëzimin e situatës deri në aktin e rëndë.
Paralelisht, hetuesit po shqyrtojnë edhe një pistë të dytë që lidhet me marrëdhëniet familjare dhe çështjet ekonomike mes palëve. Sipas informacioneve paraprake, Refit Buzi kishte jetuar më parë në Angli dhe dyshohet se dërgonte të ardhura për vajzën e tij.
Autoritetet po punojnë për të sqaruar nëse këto elemente kanë ndikuar në ngjarjen e rëndë, ndërsa operacioni për kapjen e 35-vjeçarit vijon pa ndërprerje.
Ngjarja u regjistrua mëngjesin e së premtes në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku mbeti i vrarë Kosta Plaka, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, u plagos. Ish-bashkëshortja e autorit të dyshuar dyshohet se u mor me forcë dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



