Konflikti për 400 mijë paund që solli tragjedinë me 3 viktima në Fier
Një konflikt i hershëm dhe i tensionuar për para dyshohet se ka qenë një nga faktorët kryesorë që çoi në ngjarjen e rëndë në Roskovec, ku humbën jetën tre persona. Në fokus të hetimeve janë rreth 400 mijë paund, një shumë e konsiderueshme që dyshohet se ishte siguruar nga Refit (Nertil) Buzi gjatë qëndrimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas dëshmive të familjarëve të tij, 35-vjeçari kishte transferuar rreth 180 mijë paund tek ish-partnerja, Rozalinda Plaka, gjatë kohës që jetonte jashtë vendit. Pas përfundimit të marrëdhënies, pretendimet janë se shuma nuk iu kthye, duke ndezur një konflikt që u përshkallëzua gradualisht mes dy familjeve.
Burime nga familja e vajzës kanë pohuar se marrëdhënia mes çiftit kishte qenë problematike për një kohë të gjatë, ndërsa kanë ngritur akuza për kërcënime të përsëritura nga ana e Buzit. Sipas tyre, për këtë situatë ishin ndërmarrë edhe hapa ligjorë, por tensioni nuk u shua, përkundrazi u përkeqësua.
Nga të dhënat paraprake të hetimit, dyshohet se Buzi vrau prindërit e ish-partneres në fshatin Vidhisht, më pas mbajti peng Rozalindën dhe u përball për disa orë me forcat e policisë që kishin rrethuar zonën. Pavarësisht negociatave të zgjatura, ai nuk pranoi të dorëzohej dhe më pas i dha fund jetës me të njëjtën armë që dyshohet se përdori në krim.
Familja e autorit pretendon se në themel të konfliktit qëndronte pikërisht çështja e parave të dërguara nga Britania e Madhe. Sipas tyre, pala tjetër kishte refuzuar jo vetëm kthimin e plotë të shumës, por edhe një marrëveshje të pjesshme.
Ndërkohë, rezulton se Refit Buzi kishte pasur probleme edhe më herët në Britani. Në vitin 2022, ai ishte rrëmbyer dhe mbajtur peng për 12 ditë nga persona që, sipas raportimeve, kërkonin 400 mijë paund për lirimin e tij. Pas ndërhyrjes së autoriteteve britanike dhe denoncimit të familjes, ai u lirua dhe u kthye në Shqipëri.
Pas rikthimit në vend, përplasjet për çështjen e parave vijuan dhe tensionet mes dy familjeve u thelluan me kalimin e kohës, deri në përfundimin tragjik.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar me saktësi motivet që çuan në këtë krim të rëndë me tre viktima.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



