E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kontrolli i lojërave të fatit, grupi i Ermal Beqirit mposhtet nga Endri Meksi
Lajme

Kontrolli i lojërave të fatit, grupi i Ermal Beqirit mposhtet nga Endri Meksi

Pas një sage të gjatë gjyqësore që zgjati plot 3135 ditë, Gjykata Administrative e Apelit ka rrëzuar përfundimisht ankimin lidhur me kontrollin e sistemit qendror të monitorimit të lojërave të fatit (SQMO), duke vulosur kështu një nga çështjet më të debatueshme në këtë sektor.

Vendimi është dhënë më 28 maj, duke lënë në fuqi rezultatin e garës së vitit 2017 dhe duke i dhënë fund përpjekjeve ligjore të palës paditëse për të rrëzuar kontratën.

Ankimi ishte depozituar që më 27 tetor 2017 nga bashkimi i operatorëve të përbërë nga “Qualysoft GmbH”, “Comtrade d.o.o”, “Startsat-Albanian sh.p.k.” dhe “Communication Progress sh.p.k.”. Ky grup ishte një nga dy konsorciumet pjesëmarrëse në garën e hapur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në janar të atij viti, në bazë të ligjit nr. 155/2015.

Paditësit kërkonin shfuqizimin e shpalljes së fituesit dhe lidhjen e kontratës për ndërtimin dhe administrimin e sistemit SQMO në favor të tyre. Megjithatë, kontrata ishte firmosur që në prill 2017 me shoqërinë “MC Networking” sh.p.k., e cila u shpall fituese e procedurës dhe vendimi ishte miratuar me VKM nr. 362/2017.

Pavarësisht betejës ligjore që vijoi për vite me radhë, “MC Networking” ka vazhduar ndërkohë ngritjen dhe operimin e sistemit, duke mbajtur edhe përgjegjësinë për mirëmbajtjen e tij në tregun e lojërave të fatit.

Ndërkohë, një tjetër përplasje ligjore e rëndësishme në vitin 2017 lidhej me tarifën e mirëmbajtjes së këtij sistemi. Shoqata e Basteve Sportive, ku bënin pjesë shoqëritë “Top Start” sh.a., “Llotosport” sh.a. dhe “ITSGA” sh.a. (të njohura si Eurolloto, Llotosport dhe Eccobet), kundërshtuan në Gjykatën Kushtetuese detyrimin për pagesën e kësaj tarife.

Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e tyre me vendimin nr. 89, datë 28 dhjetor 2017, duke lënë në fuqi detyrimin ligjor për pagesën e tarifës së mirëmbajtjes, siç parashikohet në nenin 48, pika 2, të ligjit për lojërat e fatit.

Me vendimin e fundit të Apelit, mbyllet përfundimisht një kapitull i gjatë mosmarrëveshjesh ligjore, duke konfirmuar vlefshmërinë e kontratës dhe funksionimin e sistemit SQMO nën administrimin aktual.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.