KQZ “hap thesin” për partitë, ja sa marrin Shehaj, Lapaj dhe Qori
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shpërndajë për vitin 2026 një fond publik prej 345.6 milionë lekësh, ose rreth 3.6 milionë euro, për financimin e partive politike. Nga kjo shumë, pjesën dërrmuese e përfitojnë dy forcat kryesore politike në vend, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.
Në total, fondet do të ndahen mes 17 partive politike. Partia Socialiste kryeson listën e përfituesve me rreth 1.6 milionë euro, ndërsa Partia Demokratike renditet e dyta me mbi 811 mijë euro mbështetje financiare.
Në vendin e tretë qëndron Partia e Lirisë e Ilir Metës, e cila përfiton mbi 109 mijë euro, e ndjekur nga Partia Socialdemokrate e Tom Doshit me mbi 103 mijë euro. Mes partive të reja që kanë hyrë në Kuvend, “Mundësia” e Agron Shehajt do të marrë rreth 86 mijë euro, ndërsa “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt mbi 71 mijë euro.
Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit përfiton rreth 63 mijë euro. Ndërkohë, disa parti të tjera parlamentare dhe jashtëparlamentare, përfshirë PDIU-në e Shpëtim Idrizit, PBDNJ-në, Partinë Republikane të Fatmir Mediut dhe Partinë Ambientaliste Agrare, do të marrin nga rreth 58 mijë euro secila. E njëjta shumë u takon edhe partive PDK, PLL, FRD dhe PBKD.
Nga ana tjetër, KEA përfiton rreth 45 mijë euro, ndërsa Nisma rreth 41 mijë euro.
Ndarja e këtij fondi publik është bërë nga KQZ mbi bazën e një formule ligjore që merr në konsideratë numrin e votave dhe mandateve të fituara nga secila parti në zgjedhjet parlamentare të 11 majit të vitit të kaluar. Fondet shërbejnë si mbështetje financiare për aktivitetin politik të partive gjatë vitit 2026.
Partia politike dhe fondi në euro:
1 Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) 1,720,377 €
2 Partia Demokratike (PD) 841,059 €
3 Partia e Lirisë (PL) 113,809 €
4 Partia Socialdemokrate Shqiptare (PSD) 106,986 €
5 Partia Mundësia (MUNDËSIA) 88,884 €
6 Partia Lëvizja Shqipëria Bëhet (SHB) 74,363 €
7 Lëvizja Bashkë (BASHKË) 65,520 €
8 Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) 60,042 €
9 Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) 60,042 €
10 Partia Republikane Shqiptare (PR) 60,042 €
11 Partia Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë (PAA 60,042 €
12 Partia Demokristiane e Shqipërisë (PDK) 60,042 €
13 Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) 60,042 €
14 Fryma e Re Demokratike (FRD) 60,042 €
15 Partia Balli Kombëtar Demokrat (PBKD) 60,042 €
16 Koalicioni Euroatlantik (KEA) 46,775 €
17 Nisma Thurje (NISMA) 42,121 €

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



