Kraja i prerë: Janë 143 letërporosi nga autoritetet e huaja, vendimmarrja e SPAK nuk kthehet pas
Kreu i SPAK Arben Kraja në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të hetuesve të BKH-së ditën e sotme është shprehur se vendimarrjet e këtij institucioni mund të vonojnë në kohë për kurrsesi nuk mund të kthehen pas.
Ndër të tjera Kraja ka njoftuar se Prokuroria e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit ka ngritur një laborator të tërë ekspertimesh për të nxjerrë para drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në trafikun e drogës.
“Kemi arritur të ngremë një laborator digjital ekspertimesh ndër më të mirët në rajon, duke përdorur konfiskimet nga të ardhurat nga trafiku i drogës. Kemi vendosur ura bashkëpunimi me policinë, strukturat e SHISH, drejtorinë e pastrimit të parave, KLSH, Prokurorinë e Përgjithshme e shumë aktorë të tjerë.
Kemi arritur të kemi akses në bazën e të dhënave të shtetit shqiptar. Kemi vendosur ura bashkëpunimi të forta me homologët tanë, kemi firmosur marrëveshje bashkëpunimi në rajon e më gjerë, dhe me shtetet e BE, duke konsoliduar raportet e duke qenë të sigurt se vetëm me këtë bashkëpunim mund të luftojmë krimin. Në këto dy vite edhe kemi punuar.
Kemi pasur 891 procedime penale, kemi dërguar 432 të pandehur për gjykim, ku për mbi 200 kemi marrë vendim. Kemi konfiskuar 62 pasuri me një vlerë mbi 75 milionë euro. Kemi 143 letërporosi nga autoritetet e huaja, 85 prej të cilave janë ekzekutuar, si dhe 17 kërkesa për ekstradim. Më lejoni të them se vendimmarrja jonë mund të vonojë, por është e bazuar dhe nuk kthehet pas më”,- tha Kraja
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



