Kreu i Prokurimeve Publike Myzyri merret i pandehur nga SPAK

SKANDALI/ Kreu i Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri merret i pandehur nga SPAK për shkelje në tenderin 2 miliardë lekësh të rrugës Shpal–Rrëshen

Një tjetër goditje e rëndësishme e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit në nivelet e larta të administratës publike: SPAK ka marrë të pandehur Jonaid Myzyrin, drejtuesin e Agjencisë së Prokurimeve Publike, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera, të kryer në bashkëpunim.

Burime nga hetimi konfirmojnë për Publik.al se bëhet fjalë për një procedurë të dyshimtë prokurimi për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal–Rrëshen, me një vlerë të majme prej 2 miliardë lekësh (afro 20 milionë euro), ku janë konstatuar shkelje flagrante të ligjit për prokurimet publike dhe favorizim të një operatori të caktuar ekonomik.

Hetimi u nis nga referimet e KLSH-së

Indicia për hetimin e kreut të Prokurimeve Publike erdhi nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka referuar rastin në SPAK për shkelje të rënda të barazisë në tenderë dhe dyshime për manipulim të procedurave.

Myzyri është thirrur për herë të tretë në SPAK në prill 2025, dhe tashmë është zyrtarisht i pandehur në këtë çështje, që po ndiqet nga prokurori Elvin Gogaj.

Dëmi i mundshëm ekonomik dhe favorizimi

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se gjatë procesit të tenderimit janë konstatuar elementë të qartë të favorizimit, që kanë cenuar konkurrencën e ndershme dhe kanë shkaktuar dëm potencial ndaj buxhetit të shtetit.

Tenderi për mirëmbajtjen e rrugës Shpal–Rrëshen është një nga kontratat më të mëdha të dhëna këtë vit dhe përbën një rast testues për integritetin e sistemit të prokurimeve publike, në një kohë kur dyshimet për manipulime në tendera janë bërë të zakonshme në administratën publike.

Marrja në pyetje dhe pritet zgjerimi i hetimeve

SPAK pritet ta thërrasë Jonaid Myzyrin të hënën për t’u marrë në pyetje, ndërsa burime pranë organit të akuzës nuk përjashtojnë zgjerimin e hetimeve edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë në procedurën e tenderit.

Publikuar nga Publik Media