E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kriteret/ Hapet gara për ‘numrin dy’ të BKH-së
Lajme

Kriteret/ Hapet gara për ‘numrin dy’ të BKH-së

Byroja Kombëtare e Hetimit ka hapur zyrtarisht garën për postin e Zëvendësdrejtorit, pas emërimit të Joni Ketës në krye të institucionit, duke lënë vakant pozicionin e dytë drejtues në hierarkinë e BKH-së.

E drejta për të aplikuar për këtë funksion u takon ekskluzivisht hetuesve aktualë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Procesi i përzgjedhjes do të drejtohet nga Kreu i Prokurorisë së Posaçme, në bashkëpunim me Drejtorin e BKH-së, në përputhje me kuadrin ligjor dhe procedurat në fuqi.

Për çdo kandidat do të hapet një dosje individuale, e cila do të administrohet nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Dokumentacionit. Kjo strukturë do të ketë përgjegjësinë për mbledhjen, verifikimin dhe përditësimin e dokumentacionit përkatës deri në përmbylljen e procesit të përzgjedhjes.

Vlerësimi i kandidatëve do të bazohet në përmbushjen e kritereve ligjore, dokumentacionin e paraqitur, vlerësimet e performancës nga Prokurorët e Posaçëm dhe eprorët e drejtpërdrejtë, si dhe në verifikimin e të dhënave lidhur me masa të mundshme disiplinore.

Aplikantët duhet të paraqesin një kërkesë zyrtare për aplikim, një platformë që pasqyron vizionin e tyre mbi funksionin e Zëvendësdrejtorit dhe rolin e tij në drejtim, menaxhim, burime njerëzore, komunikim, punë në grup dhe marrëdhënie ndërinstitucionale, si dhe jetëshkrimin profesional.

Gjithashtu, kërkohet dorëzimi i vlerësimit më të fundit nga eprori direkt, dokumentacion shtesë që provon trajnimet, kualifikimet, arsimimin dhe çdo vlerësim tjetër profesional, si edhe një certifikatë që dëshmon njohuritë e gjuhës angleze.

Dokumentet duhet të dorëzohen fizikisht pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe Dokumentacionit në Byronë Kombëtare të Hetimit, jo më vonë se data 22 janar 2026.

Ky proces synon përzgjedhjen e një profili me integritet të lartë profesional dhe përvojë të konsoliduar, në funksion të forcimit të strukturës drejtuese të BKH-së dhe rritjes së eficiencës në hetimin e veprave penale të rënda.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.