Kryeprokurori i ri, më 11 dhjetor nis ngritja e KLP. Votimi për gjashtë anëtarët, jo më vonë se…
Vetëm pak ditë më parë, Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku caktoi 11 dhjetorin 2018 si ditën kur do të zhvillohet Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve. Kështu, më 11 dhjetor 2018, në orën 9:00, prokurorët e Republikës së Shqipërisë do të mblidhen në kuadër të punimeve për përzgjedhjen e 6 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e organit të akuzës.
“Njoftohen prokurorët e prokurorive të të gjitha niveleve se, mbledhja do të zhvillohet në datën 11.12.2018, ora 09:00. Ju bëjmë me dije gjithashtu se në bazë të ligjit nr. 115/2016, nenit 112, pjesëmarrja në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është e detyrueshme”, shkruan shkresa e Markut. Ashtu sikurse edhe me KLGJ-në, Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve kërkon pjesëmarrjen e më shumë se gjysmës së prokurorëve që të ketë kuorum. Po kështu, KLP ka edhe anëtarë joprokurorë, që përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.

Dy anëtarë joprokurorë zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy anëtarë nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të Drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe një anëtar nga shoqëria civile. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, bazuar në një procedurë transparente dhe publike, shpall vendet vakante, sipas ligjit. Ngritja e KLP-së u vu seriozisht në dyshim, kur kandidatët nga prokuroritë e Apeleve ngelën në veting. I vetmi që kaloi fillimisht ishte Arben Dollapaj nga Prokuroria e Apelit të Shkodrës. Kjo detyroi Arta Markun që të shpallte dy herë vakancat për një kandidat tjetër nga Apeli. Ai që u afrua ishte Bujar Sheshi nga Prokuroria e Apelit të Krimeve të Rënda, i cili kaloi me sukses vetingun.
Ngritja e KLP-së shihet me mjaft rëndësi për Reformën në Drejtësi. Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të jetë një organ kolegjial që ka për detyrë zgjedhjen e Kryeprokurorit të përhershëm. Menjëherë pas ngritjes së KLP-së, do të nisë edhe puna për zgjedhjen e Kryeprokurorit. Është detyra e KLP-së që të shqyrtojë kandidatët për Kryeprokuror dhe të përzgjedhë prej tyre. Gjithashtu, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka në dorë edhe ngritjen e dy prej organeve jetike për Reformën në Drejtësi, siç janë Prokuroria Speciale Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



