Kumbaro emëron asistenten,Sekretare të Përgjithshme të Ministrisë
Ngrihen akuza për nepotizëm
Një tjetër emërim në administratën e lartë shtetërore ka rikthyer debatin mbi mënyrën se si zgjidhen drejtuesit e institucioneve publike.

Pas shkarkimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Erzen Tola, në këtë post është emëruar

Jona Suli, e cila sipas pretendimeve të publikuara në media ka qenë më herët asistente e ministres Mirela Kumbaro.
Sipas këtyre pretendimeve, disa javë përpara largimit të Tolës u publikuan artikuj kritikë ndaj tij, ku përmendeshin gjetje të Kontrollit të Lartë të Shtetit për shkelje administrative. Autorët e akuzave pretendojnë se këto publikime i paraprinë shkarkimit të tij, duke i hapur rrugë emërimit të Jona Sulit në krye të administratës së Ministrisë së Arsimit.
Po sipas këtyre pretendimeve, Jona Suli kishte tentuar më herët të fitonte statusin e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues (TND) pranë Departamentit të Administratës Publike, por fillimisht nuk ishte shpallur fituese. Më pas, sipas të njëjtave burime, renditja e saj ndryshoi dhe ajo u emërua Sekretare e Përgjithshme menjëherë pas shkarkimit të Tolës.
Në artikujt ku janë ngritur këto akuza thuhet gjithashtu se Suli ka mbajtur më parë funksione drejtuese në SASPAC, strukturë që koordinon fondet e huaja, si edhe në institucione të tjera publike, përpara rikthimit në Ministrinë e Arsimit.
Kritikët e këtij emërimi e cilësojnë atë si një tjetër rast të klientelizmit dhe nepotizmit në administratën shtetërore, duke argumentuar se promovimet nuk bazohen në konkurrencë të hapur dhe meritokraci, por në lidhje politike dhe besnikëri ndaj drejtuesve të qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



