Kurti ‘shuplakë’ Ramës, nderon ish-komandantin e UÇK, Tahir Sinani
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nderoi sot figurën e heroit Tahir Sinani, një nga komandantët më të shquar të UÇK-së, duke e vlerësuar si simbol të sakrificës për lirinë e Kosovës. Ky vlerësim vjen vetëm pak kohë pasi në Shqipëri, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, përdori emrin e dëshmorit për të sulmuar protestën qytetare që prej më shumë se dy muajsh kërkon largimin e qeverisë Rama.
Në Prishtinë u mbajt Akademia Përkujtimore me rastin e 25-vjetorit të rënies së Tahir Sinanit, një aktivitet që, sipas Kurtit, organizohet për herë të parë në këtë nivel nga institucionet shtetërore të Kosovës.
Në fjalën e tij, Kurti e cilësoi Sinanin si një ndër luftëtarët më të spikatur të çështjes kombëtare shqiptare, i angazhuar në disa nga betejat më të rëndësishme të historisë moderne të shqiptarëve. Ai theksoi përkushtimin dhe karakterin e komandantit, duke nënvizuar se edhe pasi kishte trajnuar ushtarë të tjerë, zgjodhi të provonte vetë në vijën e parë përballjen me armikun, duke dhënë shembullin personal të sakrificës.
Sipas Kurtit, angazhimi i Tahir Sinanit në luftën për çlirimin e Kosovës kulmoi me drejtimin e Zonës Operative të Pashtrikut, ndërsa në ditët e çlirimit ai hyri në Prizren në krye të forcave të tij, duke shënuar një moment historik për luftën çlirimtare.
Në të njëjtën akademi, ish-bashkëluftëtari i tij, Sadik Halitjaha, e krahasoi Sinanin me figurat epike të kombit shqiptar, duke theksuar rrënjët e tij atdhetare dhe vendosmërinë për t’iu bashkuar luftës. Ai kujtoi se Sinani nuk mund të qëndronte indiferent përballë vuajtjeve të shqiptarëve në Kosovë dhe se angazhimi i tij ishte i natyrshëm dhe i pakompromis.
Ndërkohë, disa ditë më parë në Shqipëri, socialistët shkaktuan reagime të forta pasi, në kuadër të sulmeve ndaj protestuesve, e cilësuan Tahir Sinanin si “mercenar të paguar”. Deklarata u prit me kritika të ashpra, veçanërisht në Kosovë, ku u konsiderua si e papranueshme dhe fyese për figurën e një heroi kombëtar.
Tahir Sinani mbetet një nga figurat më të rëndësishme të luftërave çlirimtare shqiptare, duke qenë pjesë aktive në konfliktet në Kosovë, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës, ndërsa emri i tij vazhdon të mbetet simbol i sakrificës dhe rezistencës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



