Kush i vodhi 4 milionë euro shishe vere në shtëpinë e Agasit?
Qytetari dixhital i Berishës zbardh prapaskenat
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda këtë të diel, duke deklaruar se i kërkuari nga SPAK, Ergys Agasi, ka zhvendosur 1 200 shishe vere të vjetra shekullore, me një vlerë të përllogaritur rreth 4 milionë euro, me ndihmën e zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit dhe Doganave.
Sipas Berishës, operacioni është kryer me mbështetje shtetërore dhe përfshin drejtpërdrejt edhe kryeministrin Edi Rama. Ai pretendon se Agasi kishte pagëzuar kantinën ku ruheshin verërat me emrin “Vinoteka e Edit”, duke lënë të nënkuptohet se pronari real i koleksionit ishte vetë kreu i qeverisë.
Në reagimin e tij publik, Berisha shprehet se 1 200 shishet e verës janë përvetësuar nga kryeministri, duke e cilësuar ngjarjen si një “vjedhje shtetërore” dhe një tjetër provë të asaj që ai e quan funksionim kriminal të shtetit.
“Kështu, pronari i vërtetë, Edi Rama, duket se mori mallin e vet të futur kontrabandë me vlerë 4 milionë euro, ndërsa Gysi shpëtoi nga vepra penale e kontrabandës së mallrave të akcizës. Ky është narkoshteti, ose shteti kriminel, në çdo veprim, në çdo lëvizje dhe në çdo segment”, thekson Berisha.
Sipas tij, kantina me verëra të rralla, disa prej të cilave të prodhimit të vitit 1920 dhe me vlerë deri në 33–40 mijë euro për shishe, u zbulua gjatë një kontrolli të befasishëm të BKH-së në vilën e Ergys Agasit. Nga verifikimet rezultoi se të gjitha shishet ishin futur kontrabandë dhe pa pulla fiskale, çka bëri që Doganat dhe Tatimet e Tiranës të ngarkoheshin me ruajtjen e tyre.
Megjithatë, Berisha pretendon se, nën kujdesin e drejtorit të Doganës së Tiranës dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Proda, një grup personash i përbërë nga Elvis Doçi, Suel Çela dhe dy individë të tjerë, ka transportuar të gjithë koleksionin me pesë kamionë drejt zonës së Linzës, fakt që, sipas tij, provohet edhe nga pamjet e kamerave të sigurisë.
Ai shton se pas zhdukjes së verërave origjinale, në kantinë janë vendosur 1 200 shishe të tjera me etiketa të ndryshme dhe të pajisura me pulla fiskale, në një përpjekje për të fshehur gjurmët e kontrabandës.
“Pra kemi të bëjmë me një vjedhje të mirëfilltë shtetërore”, përfundon Berisha, duke theksuar se ndërkohë që provat zhduken, institucionet nxjerrin urdhër-arrest për pronarin e banesës, ndërsa përgjegjësit e vërtetë, sipas tij, mbeten të paprekur.
Postimi i plotë i Berishës:
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



