E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush janë VIP-at që u bashkuan me popullin kundër Qeverisë?
Lajme

Kush janë VIP-at që u bashkuan me popullin kundër Qeverisë?

Nga Erkand Qerimaj te Alban Skënderaj, ja kush janë emrat e njohur

vipat ne proteste

Prej gati një jave, Shqipëria është përfshirë nga protesta paqësore që nisën kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec dhe janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë. Ajo që filloi si një marshim qytetar tashmë ka përfshirë Tiranën, ku nuk kanë munguar as thirrjet për revolucion.

Çdo ditë, mijëra qytetarë mbushin bulevardin përpara Kryeministrisë, duke kërkuar fillimisht anulimin e projektit në Zvërnec dhe më pas dorëheqjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Me pankarta në duar dhe marshime paqësore, protestuesit kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Por një protestë e organizuar nga qytetarët dhe pa ngjyrime politike nuk mund të kalonte pa praninë e figurave të njohura publike. Mes turmës së madhe, nuk është e vështirë të dallosh emrat e njohur të ekranit dhe rrjeteve sociale që i janë bashkuar kësaj lëvizjeje.

ERKAND QERIMAJ

erkand qerimaj

Peshëngritësi i njohur ka lënë për pak kohë angazhimet sportive për t’u bashkuar me qytetarët në protestë. Ai është parë mes protestuesve në bulevard, duke shprehur kështu jo vetëm pakënaqësitë e tij të mëparshme ndaj problematikave në sport, por edhe një angazhim më të gjerë si qytetar.

EMA ANDREA

ema andrea

Aktorja e njohur, e cila shpesh ka reaguar publikisht për çështje të qeverisjes, këtë herë ka zgjedhur të jetë fizikisht në protestë. Ajo është parë për disa orë në shesh, duke iu bashkuar kërkesave të qytetarëve që prej ditësh protestojnë përpara Kryeministrisë.

LIVIA BUNGA

Livia Bunga

E rritur jashtë Shqipërisë dhe me një jetë të ndërtuar në Itali, Livia Bunga u rikthye për të ndërtuar karrierën në vendin tonë. Por përballja me realitetin shqiptar duket se e ka shtyrë të reagojë edhe qytetarisht. Ajo është parë në protestë së bashku me miqtë e saj, duke kundërshtuar projektin në Zvërnec.

VISJAN UKCENAJ

visjan ukcenaj

I njohur për trajtimin e politikës me humor, aktori Visjan Ukcenaj këtë herë ka zgjedhur një qasje më serioze. Ai është parë në protestë dhe ka ndarë edhe në rrjetet sociale praninë e tij, duke treguar se kur bëhet fjalë për të drejtat qytetare, nuk ka vend për ironi.

ALBAN SKËNDERAJ

alban skenderaj ne proteste

Prania e këngëtarit të njohur nuk kishte si të kalonte pa u vënë re. Alban Skënderaj, i cili shpesh mban një profil të distancuar nga politika, është parë në protestë duke iu bashkuar qytetarëve, veçanërisht atyre nga Vlora që kundërshtojnë projektin në Zvërnec.

OLTA GIXHARI

olta gixhari

Edhe pse prej vitesh jeton në Spanjë me familjen e saj, Olta Gixhari është parë në Tiranë pikërisht për këtë protestë. Ajo ka marrë pjesë në tubim së bashku me djalin e saj të vogël dhe ka ndarë pamje nga protesta në rrjetet sociale, duke treguar mbështetjen e saj për kauzën.

Protestat vijojnë çdo ditë dhe prania e figurave publike ka shtuar edhe më shumë vëmendjen ndaj kësaj lëvizjeje, e cila tashmë ka kaluar kufijtë e një kundërshtimi lokal për t’u kthyer në një reagim më të gjerë qytetar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.