Kush po luan kundër Malit të Zi?
Përplasje mes mediave në Podgoricë, bie teza për Shqipërinë
Pretendimet se Shqipëria mund të jetë një prej vendeve të përfshira në një veprimtari të koordinuar hibride kundër Malit të Zi kanë marrë një kthesë të re.
Pak ditë pasi gazeta “Vijesti” raportoi se kryeministri Milojko Spajiç kishte pasur parasysh Shqipërinë dhe Serbinë, media të tjera malazeze kanë publikuar një version tjetër, sipas të cilit bëhet fjalë për Serbinë dhe Kroacinë.
Gazeta “Dan” pretendon se, sipas disa burimeve, paralajmërimi i Spajiçit nuk i referohej Shqipërisë, por Serbisë dhe Kroacisë. Ky variant bie ndesh me raportimin e mëparshëm të “Vijesti”, e cila, gjithashtu duke iu referuar burimeve, identifikoi Serbinë dhe Shqipërinë si dy vendet e nënkuptuara.
Vetë kryeministri malazez nuk ka përmendur publikisht as Shqipërinë, as Serbinë dhe as Kroacinë. Spajiç deklaroi vetëm se autoritetet zotërojnë informacione operative të sigurisë, sipas të cilave procesi i mbylljes së kapitujve në negociatat me Bashkimin Evropian do të shoqërohet me veprimtari hibride të koordinuara. Sipas tij, në këto aktivitete janë përfshirë zyrtarë të të paktën dy vendeve të rajonit.
Mungesa e emrave konkretë ka sjellë interpretime dhe versione të ndryshme në mediat malazeze. Më 27 gusht, “Vijesti” raportoi se bëhej fjalë për Serbinë dhe Shqipërinë, ndërsa më pas “Dan” publikoi variantin se vendet e nënkuptuara ishin Serbia dhe Kroacia.
Në debat është përfshirë edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili deklaroi se besonte që Spajiç nuk kishte pasur parasysh Serbinë. Vuçiç tha se ishte i bindur se njëri prej vendeve ishte Kroacia, por se nuk e dinte se cili ishte shteti tjetër.
Ndërkohë, portali malazez “Gradski” ka ngritur pikëpyetje mbi raportimet e “Vijesti” dhe mënyrën se si është interpretuar deklarata e kryeministrit. Portali thekson se Spajiç nuk identifikoi asnjë shtet dhe se emrat e vendeve u shfaqën vetëm më pas në raportimet mediatike.
Përplasja mes mediave malazeze dobëson kështu pretendimin se Shqipëria është një prej vendeve të akuzuara. Deri në një sqarim zyrtar nga Spajiç ose institucionet e sigurisë, përfshirja e saj mbetet një pretendim mediatik i pakonfirmuar.
Debati zhvillohet në një moment kur Mali i Zi synon të avancojë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Spajiç ka paralajmëruar se institucionet e sigurisë do të monitorojnë aktivitetet që, sipas informacioneve të disponueshme, synojnë destabilizimin e vendit dhe pengimin e rrugës së tij evropiane.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



