Kuvendi i Kosovës të mblidhet për zhbërjen e Gjykatës Speciale
Pas dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vite burg, gazetari Berat Buzhala ka bërë thirrje për një reagim të menjëhershëm institucional dhe qytetar në Kosovë.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Buzhala kërkon që Kuvendi i Kosovës të mblidhet urgjentisht dhe të ndërmarrë hapa për zhbërjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Kuvendi i Kosovës duhet sonte me u mbledhë me i zhba Dhomat e Specializume”, shkruan Buzhala, duke argumentuar se vendimi i dhënë sot përbën ende fazën e parë të procesit dhe se pas apelimit situata mund të jetë më e vështirë për t’u ndryshuar.
Ai e shoqëron reagimin me një tjetër thirrje të fortë ndaj qytetarëve, duke kërkuar që protestat të mos përqendrohen para EULEX-it apo ambasadave, por përpara institucioneve të Kosovës.
“Qytetarët nuk duhet me u mbledhë para EULEX-it, as para ambasadave, por para Kuvendit dhe para Qeverisë”, shprehet ai, duke bërë thirrje për një mobilizim masiv: “100 mijë veta para Kuvendit të Kosovës”.
Buzhala pretendon gjithashtu se marrëveshja mes Kosovës dhe Holandës lidhur me Dhomat e Specializuara krijon një detyrim për lirimin e personave të dënuar nëse gjykata do të zhbëhej. Ai e lidh këtë argument edhe me një kërkesë të mëparshme të bërë nga avokati i Hashim Thaçit.
Reagimi vjen vetëm pak orë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burg, duke e çuar në 81 vite burgim dënimin e dhënë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në reagimin e tij, Buzhala e konsideron vendimin e sotëm si një moment që kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet dhe shoqëria kosovare, duke e mbyllur mesazhin me paralajmërimin: “Sonte duhet me u zhba. Nesër është vonë.”
Thirrja e tij vjen në një ditë kur vendimi i Hagës ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe jashtë saj, ndërsa ish-krerët e UÇK-së pritet ta kundërshtojnë vendimin përmes procedurave të apelimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




