E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Bekim Sejdiu tërhiqet nga gara për President të Kosovës
Bota

Bekim Sejdiu tërhiqet nga gara për President të Kosovës

Bekim Sejdiu ka tërhequr kandidaturën për President të Republikës së Kosovës, duke argumentuar se në rrethanat aktuale nuk ekziston mbështetja e nevojshme parlamentare për zgjedhjen e tij në këtë post.

Sejdiu, i propozuar si kandidat jopartiak pas marrëveshjes së arritur mes LDK-së dhe LVV-së, bëri të ditur se për vendimin kishte informuar paraprakisht përfaqësuesit e të dyja forcave politike.

Në një reagim të bërë publik, ai shpjegoi se tërheqja e tij lidhet jo vetëm me mungesën e votave të nevojshme në Kuvend, por edhe me zhvillimet politike që, sipas tij, kanë larguar procesin nga qëllimi fillestar.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President i Republikës së Kosovës dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, shkroi Sejdiu.

Ai zbuloi se rreth dy javë më parë ishte kontaktuar nga përfaqësues të LDK-së dhe, më pas, ishte ftuar në një takim të përbashkët me delegacionet e dy partive, të kryesuara nga liderët e LDK-së dhe LVV-së.

Sipas tij, gjatë atij takimi iu bë e ditur se dy subjektet politike, pas një serie bisedimesh, kishin arritur marrëveshje që Sejdiu të propozohej për postin e presidentit si kandidat jashtë strukturave partiake.

Sejdiu tha se vendosi ta pranonte propozimin për shkak të situatës së krijuar në vend dhe me synimin për të ndihmuar në zgjidhjen e ngërçit institucional.

“Motivi im i parë dhe i vetëm për ta pranuar propozimin për postin e Presidentit të shtetit ka qenë që të vihem në shërbim të zhbllokimit të ngërçit institucional”, u shpreh ai.

Megjithatë, ai tha se kishte shpresuar që partitë parlamentare dhe deputetët do të arrinin të linin mënjanë ndasitë politike për të krijuar institucione funksionale dhe të qëndrueshme. Sipas Sejdiut, procesi për zgjedhjen e presidentit nuk arriti të ruante këtë objektiv dhe u përfshi gjithnjë e më shumë në përplasjet e brendshme politike.

Kandidati i tërhequr theksoi gjithashtu se nuk kishte pasur më herët ambicie për të marrë poste publike, duke nënvizuar se angazhimi i tij kryesor ka qenë në fushën akademike dhe profesionale.

Në fund, Sejdiu falënderoi LDK-në dhe LVV-në për propozimin dhe mbështetjen, ndërsa u bëri thirrje aktorëve politikë që të gjejnë një zgjidhje për krizën institucionale.

Ai paralajmëroi se vazhdimi i përplasjeve dhe polarizimit politik nuk i shërben Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj nuk kanë nevojë për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit tonë”, përfundoi Sejdiu.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.