Lapaj mbështet Florjan Binajn për Bashkinë e Tiranës:
Shqipëria vlen më shumë se partia
Kryetari i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, ka njoftuar se forca e tij politike do të mbështesë kandidaturën e aktorit dhe aktivistit Florjan Binaj për kryetar të Bashkisë Tiranë.
Në një postim në rrjetet sociale, Lapaj thekson se vendimi vjen si pjesë e qëndrimit të hershëm të lëvizjes për të përkrahur kandidatë të pavarur, jashtë pazareve mes partive tradicionale.
“Dy ditë më parë propozuam që kandidatët për bashkitë në këto zgjedhje, për shkak të situatës së jashtëzakonshme, duhet të vijnë nga radhët e qytetarëve të angazhuar dhe jo nga marrëveshjet e partive politike. Deklaruam se do të mbështesnim një prej kandidatëve të pavarur që do të shpallnin kandidimin.
Duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që janë deklaruar, kryesia e Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ ka vendosur që në Bashkinë Tiranë të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj. Ky vendim bazohet te vullneti ynë i mirë dhe bindja që Shqipëria vlen mbi partinë,” – shkruan Lapaj.
Florjan Binaj, i njohur për aktivizmin e tij publik dhe angazhimin në nismat qytetare, ka qenë më parë pjesë e Shqipëria Bëhet.
Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të mbahen në 6 bashki të vendit: Tiranë, Mat, Cërrik, Berat, Vlorë dhe Tepelenë.
Vëmendja më e madhe është përqendruar te gara për Tiranën, pas shkarkimit dhe arrestimit të ish-kryebashkiakut Erion Veliaj në fillim të këtij viti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



