E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Le ta dëgjojmë e ta mirëkuptojmë popullin e sheshit!
OP-ED

Le ta dëgjojmë e ta mirëkuptojmë popullin e sheshit!

Një pjesë e miqve të mi virtualë dhe realë më pyesin pse s’marr pjesë në protestë! E thjeshtë: sepse unë nuk jam pjesë e asaj proteste, nuk përfaqësoj ata njerëz, nuk kam qenë kurrë për politikë populiste. Sepse kam qenë dhe jam pjesë e një grupi njerëzish që i ka nxjerrë ata të rinj e të reja atje — herë nga injorimi i problemeve të tyre, herë nga moskuptimi i një bote tjetër që s’është e jona, herë nga moskuptimi i halleve të tyre, pavarësisht se jetojmë në të njëjtën shoqëri.

Nuk jam naiv të mos e kuptoj që protestuesit kërkojnë ndryshimin e një sistemi i cili, me dashje a pa dashje, më përfshin dhe mua; me faj ose pa faj, me dëshirë ose pa dëshirë. Unë hyj tek ata njerëz të cilët aktivitetin e tyre politik dhe publik e kanë bërë në lëvizje rinore politike siç është FRESSH, parti politike siç është PS, dhe në mediat vendase e ndërkombëtare. Kam pasur dhe kam shumë miq në të gjitha krahët politikë; kemi bërë gjëra të mira, siç kemi njohur edhe jo pak dështime në këto tri dekada pluralizëm politik. Kam pasur dhe kam gjithnjë mendimin tim, gjë që jo gjithnjë më ka ndihmuar sepse s’më ka lënë të jem ministër ose ndonjë gjë tjetër, por më ka dhënë avantazhe të tjera shumë të mëdha, të cilat i kam jetuar herë me sukses e herë me dështim — por suksesi dhe dështimi janë motër e vëlla në jetë.

Le të kthehemi te protestat: ato e shëndoshin shoqërinë, e aq më tepër kur janë paqësore si këto tonat. Shëndoshin edhe vetë partitë. E kishit imagjinuar ndonjëherë Dr. Berishën t’i japë të drejtë dikujt? Kurrë askujt! E megjithatë, turmës që bërtet “Berisha në burg”, ka filluar t’i thotë: “Kanë të drejtë, është rinia, t’i dëgjojmë kërkesat e tyre”. Kjo sepse e ka kuptuar që ajo shtëpia e tij e ngritur prej 35 vitesh, që s’nxjerr më njerëz në shesh, gjendet përballë kërcënimit real të asgjësimit politik.

Po Kryeministrin, e dëgjuat që i tha kryebashkiakëve të vet: “Rrogën e merrni te njerëzit në qytetet tuaja, e shtëpinë dhe jetën e bëni në Tiranë”? Këtu kanë qenë dhe më parë, e ata këtu i kanë pasur shtëpitë edhe më parë, por vetëm tani që dolën njerëzit në rrugë e pamë dhe e dëgjuam Kryeministrin t’ua thoshte këtë “të përzgjedhurve” të emëruar të tyre, po ashtu edhe deputetëve.

Sigurisht që unë mendoj që jo çdo delir i thënë në shesh, jo çdo budallallëk ka vend e duhet dëgjuar. Megjithatë, që të lënë tangërllëkun e Bllokut e të shkojnë të qajnë e të zgjidhin hallet e miletit — nga Kamza e Paskuqani, nga Krraba e Kombinati, nga Poliçani e Fushë-Arrëzi, nga Kurbini e Leskoviku, e çdo vend tjetër — nuk është të dorëzohesh, por është detyrë dhe duhet bërë me përulësi.

Që populizmi politik të mos e çojë vendin në anarki, nuk duhet ta kërkojmë te sheshi, por tek rrënjët e problemeve. Aty ku i gjen, fjala vjen, deputeti opozitar nga Lushnja, Saimir Korreshi, i cili për shkak të kësaj sjelljeje dhe faktit që jeton në Lushnjë, ngjall xhelozinë e kolegëve të tij dhe të partisë së tij, po aq sa edhe të mazhorancës.

Ndaj, për ata që mendonin se protesta do të zgjaste sa çudia më e madhe (tri ditë); për ata të tjerët që mendojnë se politikë do të thotë vetëm të jesh ministër, se ndryshe shkon e ankohesh nëpër ambasada; për ata të tjerët që dikur prisnin fundin e muajit të blinin ndonjë gjë; dhe për ne të medias që jemi autosugjestionuar duke na u dukur vetja qendra e botës nga views dhe likes në konkurrencë me njëri-tjetrin — është koha për një reflektim të thellë, shumë të thellë.

Sepse ata që kanë dalë atje janë njerëzit tanë, jemi NE para shumë vitesh. S’kanë një atdhe tjetër ku të shkojnë, kjo është shtëpia e tyre. Janë ata që do të na paguajnë pensionet pas 10 apo pak më shumë vitesh me punën e tyre; janë ata që e duan këtë vend ndoshta edhe më shumë se ne; janë ata me të cilët do të bashkëjetojnë fëmijët tanë.

  • Kështu që, me këmbë në tokë, me zemrën plot dhe gojën e ëmbël, ka vend për të gjithë e, mbi të gjitha, me pak më shumë dashuri për njëri-tjetrin! Pra, le ta dëgjojmë e ta mirëkuptojmë popullin e sheshit!
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.