E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vrasja në Rinas, eksperti i sigurisë ‘zbërthen’ skemën e atentatit
Lajme

Vrasja në Rinas, eksperti i sigurisë ‘zbërthen’ skemën e atentatit

“Lëvizje klasike prej ushtaraku”

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka komentuar atentatin e rëndë të ndodhur në Aeroportin e Rinasit, duke theksuar se autorët kanë vepruar me një profesionalizëm të pazakontë për krimin e organizuar shqiptar. Sipas tij, mënyra se si u krye sulmi tregon qartë se autorët kanë marrë stërvitje të mirëfilltë ushtarake, brenda ose jashtë strukturave shtetërore.

“Janë përdorur tre kallashnikovë dhe gjithë skena ka zgjatur rreth një minutë. Lëvizjet e tyre janë tipike ushtarake — pozicionimi, qëndrimi, mënyra si mbajnë armën, si lëvizin në sinkron. Nuk kanë pasur asnjë shenjë paniku. Edhe nëse aty do të kishte policë, autorët do ta kishin kryer misionin po aq shpejt”, u shpreh Kulla, duke shtuar se edhe bllokimi i armës ndodh vetëm në dy rrethana të njohura gjatë stërvitjeve taktike.

Hetimet zgjerohen në disa qytete – pistat çojnë deri në Barcelonë

Mësohet se Policia e Tiranës i ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve spanjolle të dokumentojnë lëvizjet e Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit gjatë qëndrimit të tyre 4-ditor në Barcelonë. Deri tani, pala spanjolle nuk ka kthyer ende përgjigje.

Në Shqipëri, kontrollet janë shtrirë në Tiranë, Kamëz, Nikël dhe Fushë-Krujë, në banesa të braktisura dhe tek persona të skeduar më herët nga policia.

Deri në këtë fazë të hetimit, është shpallur në kërkim 48-vjeçari Ylli Zalla, që dyshohet se ka lidhje me atentatin.

Njëkohësisht, janë shoqëruar të paktën 15 persona, kryesisht të afërm të viktimës dhe të të plagosurit.

Makina e autorëve, e vjedhur në Greqi

Ekspertët kanë arritur të rikuperojnë numrin e shasisë së mjetit Toyota, të djegur nga autorët pas atentatit. Verifikimi ka treguar se automjeti është vjedhur në Greqi më 22 tetor 2023, ndërsa targat e përdorura ishin gjithashtu të vjedhura, por një vit më parë.

Në vendngjarje u gjetën më shumë se 80 gëzhoja, duke treguar intensitetin e zjarrit.

20 plumba në trup: ekzekutim i pastër

Ekspertiza e morgut ka konfirmuar se Gilmando Dani ka marrë 20 plumba, duke vdekur në vend. Në Spitalin e Traumës, ndërkohë, vijon të jetë i intubuar Muçi Shaljani, i goditur me 10 plumba, dy prej të cilëve në kokë.

Sipas hetuesve, shënjestra kryesore e atentatit ishte pikërisht Gilmando Dani — i njohur për drejtësinë si pjesë e grupit të Emiljano Shullazit.

Zbulimi që tronditi AMP-në: Shaljani ishte agjent, por pa certifikatë sigurie

Pas verifikimeve, DSIK ka bërë të ditur se Muçi Shaljani, i plagosuri që udhëtonte me Danin, nuk posedonte certifikatë sigurie, ndonëse punonte si agjent pranë AMP-së.
Ai ishte punësuar në shtator me një kontratë 3-mujore, gjatë kohës kur institucionin e drejtonte Artiol Saliasi.

Ky fakt ka ngritur pikëpyetje të mëdha për mënyrën e rekrutimit.

AMP pezullon strukturat dhe nis verifikime të brendshme

Drejtori aktual i AMP-së, Eduart Merkaj, ka pezulluar përkohësisht zinxhirin komandues të Forcës së Posaçme Operacionale, duke urdhëruar një auditim të brendshëm të plotë.
Qëllimi është të zbulohet se si Muçi Shaljani është futur në agjenci, kush e ka verifikuar dhe çfarë dokumentacioni është përdorur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.