E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ligji i ri për  “Të fortët” në burg , një takim në muaj me bashkëshortet dhe një orë ajrosje në ditë
Lajme

Ligji i ri për “Të fortët” në burg , një takim në muaj me bashkëshortet dhe një orë ajrosje në ditë

Ky projektligj është hartuar për atë kategori personash, që janë dënuar ose janë nën hetim për veprat penale si pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë të armatosur, organizatë terroriste apo për vepra me qëllime terroriste.

MASAT SHTRËNGUESE

Masat e ligjit parashikojnë që nga kufizimi i takimeve një herë në muaj, deri te kufizimi i ajrosjes së të burgosurve. Në projektligj parashikohet se do të lejohet një takim familjar në muaj, i cili kryhet në intervale të rregullta kohore dhe në mjedise të caktuara, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera dhe që i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video.

Me termin “familjarë” nënkuptohen të paralindurit, të paslindurit, bashkëshortët dhe bashkëjetuesit. Në raste të jashtëzakonshme, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët, për personat e dënuar, kryhet me propozimin e drejtorit të institucionit dhe me miratimin e ministrit të Drejtësisë.

Ndërsa për personat e paraburgosur, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët kryhet vetëm me miratimin e prokurorit. Krahas kësaj, kufizimi parashikon se në rastet e mospasjes së takimeve, do të lejohet një telefonatë në muaj, me kohëzgjatje maksimale 10 minuta, e cila do të regjistrohet.

Kryerja e kësaj telefonate do të bëhet vetëm me vendim të arsyetuar të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, kurse për personat e paraburgosur, ajo autorizohet me vendim të arsyetuar të prokurorit.

Projektligji përcakton edhe ndalimin e përdorimit të vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që mund të marrë i dënuari ose i paraburgosuri nga jashtë, si edhe kontrollin e korrespondencës. Masa tjetër që është parashikuar është edhe reduktimi i qëndrimit në ajrim në mjedise të hapura për këtë kategori të burgosurish ose personash që janë në hetim dhe nën masën e arrestit me burg.

Në projektligj thuhet se reduktimi i qëndrimit në ajrim në mjedise të hapura do të jetë më i kufizuar për këta persona, por jo më pak se një orë në ditë. Këta persona do të jenë gjithashtu të përjashtuar nga organet përfaqësuese të të dënuarve apo të paraburgosurve. Këto masa shtrënguese do të aplikohen për një vit për këta persona, duke i lënë të drejtën ministrit të Drejtësisë që ta zgjasë afatin edhe për më shumë.

NDRYSHIMET NË LIGJ

a) masa të brendshme dhe të jashtme të sigurisë së lartë, që lidhen, kryesisht, me nevojën për të parandaluar: i. kontaktet me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera, me të cilat ata bashkëpunojnë; ii. konfliktet e mundshme me elementë të organizatave kundërshtare; iii. ndërveprimin me të burgosurit apo të paraburgosurit e tjerë, të cilët i përkasin së njëjtës organizatë ose të organizatave të tjera, me të cilat ata bashkëpunojnë; iv. komunikimin apo shkëmbimin e sendeve ndërmjet të dënuarve apo të paraburgosurve që u përkasin grupimeve të ndryshme.

b) lejimin e një takimi familjar në muaj, i cili kryhet në intervale të rregullta kohore dhe në mjedise të caktuara, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera dhe që i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video. Me termin “familjarë” nënkuptohen të paralindurit, të paslindurit, bashkëshortët dhe bashkëjetuesit. Në raste të jashtëzakonshme, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët, për personat e dënuar, kryhet me propozimin e drejtorit të institucionit dhe me miratimin e ministrit të Drejtësisë. Për personat e paraburgosur, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët kryhet vetëm me miratimin e prokurorit. Parashikimet e këtij paragrafi nuk zbatohen për takimet me avokatët mbrojtës;

c) lejimin e të dënuarit ose të paraburgosurit, i cili nuk kryen takime familjare, për kryerjen një bisede telefonike në muaj, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta, e cila regjistrohet. Kryerja e bisedave telefonike për personat e dënuar autorizohet me vendim të arsyetuar të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, kurse për personat e paraburgosur, ajo autorizohet me vendim të arsyetuar të prokurorit;

ç) ndalimin e përdorimit të vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që mund të marrë i dënuari ose i paraburgosuri nga jashtë, sipas parashikimeve në rregulloren e brendshme të institucionit;

d) kontrollin e korrespondencës, përveç asaj me subjektet e përcaktuara në nenin 43 të këtij ligji, ose me organizata ndërkombëtare, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut;

dh) reduktimin e qëndrimit në ajrim në mjedise të hapura, por jo më pak se 1 orë në ditë;

e) përjashtimin nga organet përfaqësuese të të dënuarve apo të paraburgosurve. Me kërkesë të dënuarit ose të paraburgosurit, pas një periudhe njëvjeçare, ministri i Drejtësisë mund të rivlerësojë nëse janë kushtet për vazhdimin e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave ndaj të dënuarit ose të paraburgosurit. Për marrjen e vendimit, ministri i Drejtësisë merr, paraprakisht, mendimin e prokurorit, të ministrit të Brendshëm si dhe të gjitha të dhënat e tjera të nevojshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, organet e Policisë së Shtetit dhe atyre të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, sipas fushave të përgjegjësisë.

Ministri i Drejtësisë vendos zgjatjen e afatit për periudha të tjera njëvjeçare të ushtrimit të Regjimit të Posaçëm ndaj të dënuarit ose të paraburgosurit, kur ekzistojnë ende rrethana lidhur me:

a) aftësinë e të dënuarit për të mbajtur lidhje me organizatën kriminale apo terroriste, duke marrë në konsideratë edhe profilin kriminal dhe rolin e subjektit brenda organizatës, si dhe vazhdimin e veprimtarisë së bashkëpunimit kriminal;

b) ekzistencën e akuzave të reja, të pavlerësuara më parë;

c) rezultatin e trajtimit penitenciar si dhe të standardit të jetesës së anëtarëve të familjes së subjektit. Kalimi i kohës nuk përbën, në vetvete, një element të mjaftueshëm për të përjashtuar aftësinë e të dënuarit në regjim të posaçëm për të mbajtur lidhjet me organizatën apo për të provuar mungesën e operativitetit të saj. Kundër vendimit të ministrit të Drejtësisë, i cili ka vendosur zgjatjen e regjimit të posaçëm, i dënuari, i paraburgosuri apo avokati mbrojtës mund të paraqesin kërkesë ankimore brenda 20 ditëve, nga momenti i njoftimit të vendimit. Kërkesa ankimore depozitohet në gjykatën e rrethit gjyqësor, e cila është kompetente për gjykimin e çështjes sipas parashikimit të nenit 470, të Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata procedon sipas mënyrës së parashikuar në nenin 471, të Kodit të Procedurës Penale. Gjykimi i çështjes nuk pezullon vendimin e ministrit të Drejtësisë. Në qoftë se kërkesa kundër vendimit të ministrit të Drejtësisë pranohet nga ana e gjykatës, ministri i Drejtësisë, në rast se do të urdhërojë një vendim të ri, duhet të mbajë parasysh përcaktimet e bëra në vendimin e gjykatës, duke shtuar elemente të rinj ose që nuk janë vlerësuar nga ana e saj”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.