Lirohet nga burgu Arbër Paplekaj
Gjykata e Durrësit ka vendosur lirimin me kusht të Arbër Paplekajt gjatë një seance të zhvilluar dy ditë më parë.
Më 11 nëntor, Paplekaj kishte përfituar gjithashtu një ulje dënimi prej 90 ditësh, që shtrihet në vitin e fundit të vuajtjes së tij.
Paplekaj, ish-efektiv i Forcave të Armatosura, po vuan aktualisht një dënim për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ngjarje e ndodhur në Elbasan në prill të vitit 2021, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare. Ai u dënua përfundimisht me 7 vite burg nga Gjykata e Apelit, e cila uli dënimin duke ndryshuar cilësimin e veprës penale nga “vrasje në rrethana cilësuese” në “vrasje në kushtet e tronditjes psikike”.
Teksa ka vuajtur më shumë se gjysmën e dënimit, mbrojtja e tij kërkoi lirimin me kusht që në fillim të vjeshtës, por seancat për arsye të ndryshme janë shtyrë ose nuk janë zhvilluar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



