E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lura mbulohet nga dëbora dhe pamjet janë thjesht përrallore
Lajme

Lura mbulohet nga dëbora dhe pamjet janë thjesht përrallore

E fshehur mes kodrave të Dibrës, Lura mbetet një nga mrekullitë natyrore më magjepsëse të Shqipërisë, pavarësisht stinës.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale një foto përrallore nga Lura, e veshur nga manteli i bardhë i dëborës që ka zbardhur zonën gjatë ditëve të fundit.

“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje përrallore nga Lura, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama krahas fotos që ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve.

Parku Kombëtar i Lurës, i shtrirë në verilindje të vendit me një sipërfaqe prej 12.8 km², përfshin edhe pjesën lindore të masivit të njohur si “Kurora e Lurës”. Peizazhi dominohet nga pyje ahu europian, të alternuar me bredh argjendi, pishë të zezë, pishë të kuqe dhe pishë boshnjake, duke krijuar një mozaik të rrallë bimësie.

Xhevahiri më i çmuar i zonës mbetet kompleksi i 14 liqeneve akullnajore, të pozicionuara në lartësinë 1,350–1,720 metra. Me një sipërfaqe totale prej 1,280 hektarësh, ato formojnë një panoramë të jashtëzakonshme, veçanërisht në stinën e dimrit kur ngrijnë plotësisht.

Nga liqenet më të mëdhenj veçohen:

  • Liqeni i Madh – 32 hektarë

  • Liqeni i Pishave – 13 hektarë

  • Liqeni i Zi – 8 hektarë

  • Liqeni i Luleve – 4 hektarë

Në dimër, sipërfaqja e tyre shndërrohet në një pasqyrë akulli, ndërsa në verë Liqeni i Luleve “çelin” me ngjyra, duke u bërë një atraksion unik natyror.

Lura mbetet një destinacion që e justifikon çdo udhëtim, nga bardhësia e dimrit te gjelbërimi i pranverës dhe freskia e liqeneve gjatë verës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.