E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
17 perlat e Dibrës që do ‘gllabërohen’ nga Paketa e Maleve
Lajme

17 perlat e Dibrës që do ‘gllabërohen’ nga Paketa e Maleve

Skema famëkeqe: Male pa njerëz, tokë për oligarkët

E njëjta logjikë që u përdor dikur me formulën famëkeqe “Shqipëria 1 Euro”, ku prona publike u dorëzua për dekada të tëra tek një rreth i ngushtë njerëzish të lidhur me pushtetin, po rikthehet sot me një emër tjetër: “Paketa e Maleve”. Një ligj që në letër flet për zhvillim, por në thelb ngjan gjithnjë e më shumë me një mekanizëm të pastër favorizimi. Tokë me çmim simbolik, lehtësira fiskale për një dekadë dhe një narrativë që paraqet malet si territore të braktisura, gati për t’u “shpëtuar” nga investitori, ndërsa banori vendas trajtohet si pengesë që duhet anashkaluar.

Në Dibër, ky projekt ka zbritur nga fjalët në praktikë. Zona të tëra si Korabi, Hinoska, Grama, Zimuri, Kodra e Gjaricës, Kallë, Lashkiza, Lugjej, Lura, Luznia, Sllatina, Lan-Lura, livadhet e Kallës dhe Vleshës, lugina e Drinit, Selishta e Rabdishti janë futur në listën e ashtuquajtur të zhvillimit prioritar. Me një vendim të vetëm qeveritar, hapësira që prej brezash kanë qenë pjesë e jetës së komuniteteve lokale po trajtohen si asete ekonomike, të gatshme për t’u transferuar nga pronë publike në prona private, me përfitime konkrete për pak individë.

Ndërsa turistët e huaj mahniten nga peizazhet dhe autenticiteti i këtyre zonave, shteti duket se ka zgjedhur një tjetër rrugë: spastrimin e heshtur të banorit dhe hapjen e derës për investitorin e madh. Ajo që u pa në Theth, ku ndërhyrjet nuk u bënë për infrastrukturë, por për të shembur jetën e ndërtuar me mund nga banorët, rrezikon të përsëritet edhe në Dibër. Turizmi familjar zëvendësohet nga komplekset luksoze, shtëpia nga vila, dhe trashëgimia nga një kontratë pronësie.

Në këtë realitet, “Paketa e Maleve” nuk ngjan si një plan për ata që jetojnë në male, por si një ofertë për ata që vijnë me projekte në dorë dhe largohen me tokën në pronësi. Rreziku është që Dibra të mbetet thjesht një pamje e bukur në hartë, pa njerëz, pa komunitet dhe pa jetë reale. Sepse në emër të zhvillimit, gjithçka mund të ndërtohet e të shitet, përveç historisë dhe ekzistencës së atyre që i kanë dhënë shpirt këtyre maleve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.