Masakra në Shkodër: Shënjestër vëllai i Denis Bajrit
Një ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën në orët e para të mëngjesit të së hënës. Një 29-vjeçar, i identifikuar si Ragip Gila, hyri i armatosur në një lokal pranë bashkisë dhe hapi zjarr me breshëri, duke lënë pas një bilanc tragjik: dy të vrarë dhe dy të plagosur.
Viktimat dhe të plagosurit
Të vrarë mbetën në vend Armando Pali dhe truproja i njohur si Liridon Kraja (Lushi), i cili humbi jetën më pas në spital.
Nga plumbat u plagosën rëndë Erogen Brajoviç, shënjestra e sulmit sipas autorit, si dhe Meri Kaceri, 25-vjeçarja që shërbente si kameriere në lokal. Për fat, gjendja e saj shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën.
Ragip Gila, i cili u kap nga policia në tentativë për t’u larguar nga vendngjarja, pranoi gjatë marrjes në pyetje se objektivi i tij ishte pikërisht Erogen Brajoviç. Pamjet e publikuara tregojnë autorin me skafandër në kokë dhe me armë në dorë pak momente pas masakrës.
Pistat e hetimit
Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i ekstraduar në korrik nga Dubai, i akuzuar për vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër, krim që dyshohet se ishte porositur nga rrjeti i Ervis Martinajt. Ky fakt ka ngritur dyshime të forta se ngjarja e fundit është pjesë e përplasjes mes grupeve kriminale që operojnë në veri të vendit.
Policia ka shtrirë hetimet në disa pista të ndryshme dhe ka zhvilluar kontrolle në banesa në periferi të Shkodrës, ndërsa pritet të zbardhen motivet dhe lidhjet e plota të kësaj masakre që rikthen frikën e hakmarrjes dhe të ekzekutimeve mafioze në qytetin verior.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



