Mbi 14 milionë tentativa sulmesh kibernetike në Shqipëri
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka publikuar të dhënat zyrtare mbi kërcënimet digjitale për periudhën janar–qershor 2026, duke evidentuar një intensitet të lartë të sulmeve ndaj sistemeve shqiptare.
Sipas raportit, gjatë këtij gjashtëmujori janë regjistruar gjithsej 14,628,595 tentativa për sulme kibernetike, një shifër që përkthehet në mesatarisht 56.4 tentativa çdo minutë. Të dhënat tregojnë për një presion të vazhdueshëm ndaj infrastrukturave digjitale të vendit.
Analiza e sulmeve zbulon se pjesa më e madhe, rreth 54%, ka pasur në shënjestër infrastrukturat e rëndësishme të informacionit, ndërsa 46% janë drejtuar ndaj infrastrukturave kritike, duke theksuar rrezikun e lartë për sistemet kyçe.
Objektivat e sulmeve kanë qenë të shpërndara në disa sektorë strategjikë, përfshirë sistemin financiar, administratën publike, rrjetet digjitale, sektorin energjetik si dhe fusha të tjera me rëndësi për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë.
Këto shifra nxjerrin në pah nevojën për forcimin e vazhdueshëm të mbrojtjes kibernetike dhe rritjen e kapaciteteve për përballimin e kërcënimeve në rritje në hapësirën digjitale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



