Mbyllet kompania ‘Plus’ klientët do ndahen mes “Vodafone” dhe “Telecom”

Tregu i telefonisë celulare do të mbetet me tre operatorë. Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar transferimin e frekuencave të Plus Communication, operatorit të katërt në treg, tek dy operatorët më të mëdhenj, Vodafone Albania dhe Telecom Albania.
Konkurrenca bën të ditur se Plus Communication kishte kërkuar që në muajin korrik konsultim paraprak lidhur me transaksionin e pritshëm që do të ndodhte në tregun e telefonisë celulare. Ndërkohë edhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare kishte dhënë miratimin paraprak për transferimin e frekuencave dhënë në përdorim sipërmarrësit Plus tek dy operatorët e tjerë celularë dhe konkretisht Vodafone dhe Telekom.

Konkurrenca bëri të ditur edhe arsyen pse Plus kërkoi transferimin e frekuencave. “Për shkak të vështirësive financiare ndërmarrja nuk mund të vijojë më tej me investime për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe konkurruese ndaj konsumatorëve dhe duke pasur parasysh kërkesat e AKEP ndaj operatorëve të tjerë për të siguruar vijimin e ofrimit të shërbimeve të kontraktuara, kërkon të transferojë frekuencat në përdorim të saj tek operatorët e tjerë celular sipas Marrëveshjeve me këta operatorë”, thuhet në shpjegimin e Plus për Konkurrencën. “Gjatë gjithë viteve të operimit në treg, që nga viti 2010, shoqëria ka rezultuar me humbje të konsiderueshme.

Humbja e akumuluar në vite kapin shifra të konsiderueshme rreth 6.1 mln lekë dhe për këtë arsye aksionaret e shoqërisë kanë ndërmarre dy herë masa ristrukturimi të kapitalit për të mbuluar humbjet.”

Publikuar nga Publik Media