E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mbytja e 15-vjeçarit në pishinë, arrestohet pronari i “Glow” në Gjirokastër
Lajme

Mbytja e 15-vjeçarit në pishinë, arrestohet pronari i “Glow” në Gjirokastër

Pronari i pishinës private “Glow” në Gjirokastër, Ermal Koko, është arrestuar nga Policia pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën një 15-vjeçar.

Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë së Gjirokastrës, të firmosur nga prokurorja e çështjes, Nertila Myftaraj. Veprimi është ekzekutuar nga efektivët e Policisë së Gjirokastrës, ndërsa procedurat janë ndjekur në prani të prokurores së gatshme.

Viktima, Arbër Peçi, 15 vjeç, kishte shkuar në pishinë së bashku me dy bashkëmoshatarë. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, adoleshenti ka hyrë në ujë, por pak më vonë është ndjerë keq dhe ka mbetur në fund të pishinës. Dyshimet e para flasin për një problem shëndetësor të papritur, ndërsa shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se i mituri ka tentuar të kërkojë ndihmë me gjeste pak çaste përpara se të humbiste jetën. Sipas të njëjtave burime, askush nuk ka ndërhyrë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa alarmi është ngritur më pas nga dy shokët që e shoqëronin.

Pas ngjarjes, hetimet janë përqendruar edhe te kushtet e sigurisë në subjektin privat, me qëllim verifikimin nëse pishina funksiononte në përputhje me kërkesat ligjore dhe nëse kishte personel të trajnuar për ndërhyrje në raste emergjente.

Në kuadër të hetimeve, në ambientet e Policisë së Gjirokastrës janë shoqëruar dhe pyetur edhe shtatë persona të tjerë, mes tyre dy shokët e viktimës si dhe anëtarë të stafit të pishinës.

Mësohet se pishina “Glow”, ku ndodhi ngjarja e rëndë, është në pronësi të Ermal Kokos, bashkëshort i nënkryetares së Bashkisë së Gjirokastrës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.