Me 100 kg drogë në valixhe, 2 kinezët kapen mat në Rinas
Dy shtetas kinezë janë arrestuar nga Policia Kufitare në aeroportin e Rinasit, pasi tentuan të futnin në territorin shqiptar një sasi prej 100 kilogramësh kanabis të ndarë në dy valixhe.
Lënda narkotike ishte nisur nga Tajlanda, me një itinerar që përfshinte një ndalesë tranziti në Emiratet e Bashkuara Arabe, përpara mbërritjes në Shqipëri.
Autoritetet shqiptare u informuan paraprakisht nga agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit për dyshimet në lidhje me dy pasagjerët kinezë. Pas kontrollit në pikën kufitare të Rinasit, ata u ndaluan dhe më pas u arrestuan nga strukturat e policisë.
Rasti i është kaluar Seksionit të Antidrogës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për hetime të mëtejshme. Sipas burimeve paraprake, kanabisi i sekuestruar rezulton të ketë një përqindje të lartë të substancës aktive THC, çka i jep një vlerë të konsiderueshme në tregun e drogës.
Hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin dhe destinacionin final të lëndës narkotike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


