Kushtetuesja ‘mbyll derën’ për vëllezërit Çala për paratë e sekuestruara
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e vëllezërve Klement dhe Eldi Çala për rigjykimin e çështjes që lidhet me grabitjen spektakolare të 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit. Dy të dënuarit kundërshtuan vendimet e dhëna nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, duke pretenduar se ndaj tyre nuk ishte provuar përfshirja konkrete në grabitje dhe se një pjesë e provave të përdorura për shpalljen e fajësisë nuk përbënin dëshmi të mjaftueshme.
Megjithatë, pretendimet e tyre nuk arritën të kalonin në shqyrtim në seancë plenare, duke bërë që Gjykata Kushtetuese të mos pranonte kërkesën për gjykim kushtetues.
Vëllezërit Çala, të mbrojtur nga avokatja Eviola Shehu, janë dënuar përkatësisht me 20 dhe 17 vite burgim për përfshirjen në ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në aeroportin e Rinasit, ku një grup i armatosur grabiti miliona euro nga transporti i parave.
Një nga argumentet kryesore të mbrojtjes lidhej me faktin se gjatë hetimeve dhe gjykimit ndaj tyre ishin sekuestruar shuma parash, por, sipas pretendimit të vëllezërve, nuk ishte provuar se këto kartëmonedha kishin origjinë nga grabitja e Rinasit.
“Paratë e sekuestruara nuk ishin grabitur në Rinas” ishte një nga kundërshtimet e ngritura prej tyre, duke vënë në pikëpyetje lidhjen mes shumave të gjetura dhe ngjarjes për të cilën janë dënuar.
Një tjetër pikë e debatit mes mbrojtjes dhe drejtësisë lidhej me të dhënat e komunikimit telefonik. Sipas pretendimeve të vëllezërve Çala, fakti që telefonat e tyre rezultonin të aktivizuar në të njëjtat zona me aparatet e personave të tjerë të dyshuar nuk mund të shërbente, në vetvete, si provë për pjesëmarrjen në grabitje.
Ata kanë kundërshtuar gjithashtu interpretimin e marrëdhënieve shoqërore dhe njohjeve me persona të përfshirë në ngjarje, duke argumentuar se njohja apo shoqërimi me dikë nuk përbën provë të kryerjes së një vepre penale.
Telefonata e nënës pas vrasjes së Admir Muratajt ishte një tjetër element që vëllezërit Çala vunë në diskutim. Bëhet fjalë për një komunikim telefonik të zhvilluar pas vrasjes së Muratajt, gjatë të cilit nëna e tyre, e shqetësuar për të birin, e kontakton atë.
Sipas mbrojtjes, kjo bisedë nuk mund të interpretohej si provë që i lidhte drejtpërdrejt me grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas. Përkundrazi, ata kanë kundërshtuar mënyrën se si ky komunikim është vlerësuar gjatë procesit gjyqësor.
Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese, sipas informacionit të bërë publik nga gazetarja Anila Hoxha, ka vlerësuar se dënimet ndaj tyre janë mbështetur në një tërësi provash, ku përfshihen komunikimet telefonike, armët dhe paratë e sekuestruara. Këto elemente janë shqyrtuar në raport me njëri-tjetrin dhe janë vlerësuar në tërësinë e tyre nga gjykatat që kanë trajtuar çështjen.
Rrëzimi i kërkesës së vëllezërve Çala vjen pas një tjetër vendimi të ngjashëm të Kushtetueses, e cila më herët nuk pranoi as kërkesën e Saimir Çelës, një tjetër person i dënuar në kuadër të kësaj dosjeje.
Edhe Çela pretendonte se i ishin cenuar të drejtat gjatë procesit gjyqësor. Në qendër të kundërshtimeve të tij ishte edhe një fjali e shqiptuar gjatë qëndrimit në paraburgim: “Çfarë tersi, e dija”, e cila, sipas pretendimeve të tij, ishte përdorur në mënyrë të padrejtë në vlerësimin e fajësisë.
Në total, personat e dënuar për grabitjen e Rinasit kanë marrë 122 vite burgim. Megjithatë, Klement dhe Eldi Çala kanë vijuar të kundërshtojnë vendimet ndaj tyre, duke këmbëngulur se nuk është përcaktuar dhe provuar në mënyrë konkrete roli që secili prej tyre ka pasur në organizimin dhe realizimin e grabitjes.
Në vendimet e gjykatave të mëparshme është përmendur edhe lidhja shoqërore mes Klement Çalës dhe Admir Muratajt, i cili mbeti i vrarë gjatë përplasjes me policinë pas grabitjes. Sipas arsyetimit të gjykatave, dy personat ishin njohur në Greqi, ku kishin qëndruar edhe në të njëjtën qeli burgu.
Ndërkohë, në një proces gjyqësor të veçuar, Talo Çela është dënuar në mungesë me 18 vite burgim. Emri i tij mbetet i lidhur me hetimet për grabitjen e Rinasit, ndërsa Prokuroria dyshon se kjo ngjarje kriminale ka prodhuar edhe episode të tjera të rënda, të cilat vijojnë të jenë objekt hetimi nga SPAK.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



