Me flamuj kombëtarë, mbahet revolta në ditën e 100-të saj
Protestat kombëtare kundër qeverisë kanë shënuar mbrëmjen e 7 shtatorit një tjetër pikë të rëndësishme, teksa qytetarët janë mbledhur në Tiranë për protestën e 100-të.
Tubimi nisi në Sheshin Skënderbej, ku protestuesit u grumbulluan me flamuj kombëtarë dhe shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj situatës politike dhe qeverisjes.
Pas grumbullimit fillestar, protestuesit u zhvendosën në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke marshuar drejt Kryeministrisë. Gjatë rrugës dhe përpara godinës së qeverisë u dëgjuan thirrje të forta kundër kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve të qeverisë.
Ndër sloganet e përsëritura gjatë protestës ishin: “Rama, jepe dorëheqjen”, “Largohu”, “Gjithë Shqipëria të urren”, si dhe thirrje për arrestimin e Ramës dhe Belinda Ballukut.
Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu ndryshime politike, ndërsa tubimi i 7 shtatorit merr një rëndësi të veçantë për shkak të numrit të protestave të zhvilluara që prej nisjes së aksionit qytetar.
Protesta e 100-të, pjesë e “Revolucionit Flamingo”
Tubimi i kësaj mbrëmjeje është pjesë e protestave të përditshme që nisën më 31 maj dhe që aktivistët i kanë cilësuar si “Revolucioni Flamingo”.
Gjatë protestës së 100-të, qytetarët kanë vijuar me mesazhet e tyre kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Në fokus të thirrjeve kanë qenë edhe zhvillimet politike dhe kërkesa për ndryshim.
“Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun”, është një nga thirrjet që është dëgjuar gjatë tubimit përpara Kryeministrisë.
Organizatorët dhe aktivistët kanë paralajmëruar se aksioni qytetar do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, duke e kthyer protestën e përditshme në një nga format kryesore të kundërshtimit ndaj qeverisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



