Me heroinë e kokainë pranë shkollës në Lushnjë, arrestohet 31-vjeçari
I sekuestrohet edhe mjeti luksoz “Audi SQ8”
Një 31-vjeçar është arrestuar në Kolonjë të Lushnjës, pasi dyshohet se posedonte doza heroine dhe kokaine të ndara e të gatshme për shitje, të gjetura në afërsi të një shkolle të mesme. Gjatë operacionit policor është sekuestruar edhe një automjet luksoz tip “Audi SQ8”, me vlerë të përllogaritur rreth 50 mijë euro, për të cilin ekzistojnë dyshime se është siguruar nga aktiviteti i paligjshëm i narkotikëve.
Në pranga ka rënë Medjon Sulko (Karamani), 31 vjeç, banues në Kolonjë. Sipas Policisë, arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Kontigjenti”, pas një hetimi njëmujor të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë.
Gjatë kontrollit fizik të të dyshuarit, efektivët gjetën doza të lëndëve të dyshuara narkotike, heroinë dhe kokainë, të ndara në sasi të vogla dhe të dyshuara se ishin përgatitur për t’u shitur.
I arrestuar edhe më parë për narkotikë
Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, 31-vjeçari rezulton të jetë arrestuar edhe më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku autoritetet konstatuan se ai posedonte një automjet luksoz të markës “Audi SQ8”. Mjeti, me vlerë të përafërt prej 50 mijë eurosh, u sekuestrua në kuadër të hetimit, pasi dyshohet se mund të jetë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i shitjes së lëndëve narkotike.
Pas arrestimit dhe sekuestrimit të provave materiale, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve hetimore dhe ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



