Me mbështetjen e pedagogëve, ‘zbythen’ karriget e dialogut të Ramës
Pedagogë, akademikë dhe protestues janë bashkuar në një marshim nga Universiteti Politeknik, në shenjë solidariteti me studentët dhe protestën e tyre kundër qeverisë.
Marshimi ka vijuar drejt Kryeministrisë, ku protestuesit kanë ndaluar për të shprehur kundërshtimin ndaj qëndrimit të qeverisë. Gjatë kësaj ndalese, karriget e vendosura para godinës si pjesë e ftesës për dialog janë hedhur nga protestuesit në shkallët e Kryeministrisë, në një gjest që shënoi refuzimin e tyre ndaj kësaj nisme.
Protesta është shoqëruar me thirrje të forta kundër qeverisë dhe Policisë së Shtetit. Pjesëmarrësit kanë kërkuar lirimin e studentëve të shoqëruar dhe dorëheqjen e kryeministrit.
“Pa dorëheqje nuk ndalojmë”, “Lironi studentët”, “Policia e krimit” dhe “Qeveria e krimit” janë disa nga sloganet që kanë jehuar gjatë marshimit.
Pedagogët i bashkohen lëvizjes studentore
Përfshirja e pedagogëve dhe akademikëve në protestë i jep një dimension të ri lëvizjes studentore. Ajo vijon të shprehë pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe mënyrës së reagimit të institucioneve ndaj protestuesve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



