Me telefonatën e drejtorit të RAI, Rama i vuri një njollë të zezë vendit, fiks si Erdogani që sulmon BBC dhe CNN

Edi Rama kujtonte se do ta kalonte lehtë intervistën e mbrëmshme në emisionin Metropolis, përkatësisht podkastit të së përditshmes së njohur ‘La Repubblica’. Hyrja e të cilit ka qenë e lidhur me fije politike e biznesi, meqë pronar i kësaj media është grupi FIAT.

Por në vend që të heqë vetullat nxori sytë, dhe u shpërfaq siç është, një politikan autoritar që i konsideron mediat një instrument që mund ta kontrollojë.

Massimo Giannini, gazetar me përvojë, aktualisht editorialist i ‘La Repubblica’, e pyeti Edi Ramën, në një deklamacion thuajse retorik.

“Më thuaj zoti Rama, çfarë mund të bënte një kryeministër gjerman apo francez, a mund të guxonte të telefononte drejtorin e RAI-t dhe të nesërmen të mos i kërkonin dorëheqjen?”.

Pas kësaj pyetje Edi Rama u destabilizua dhe nisi të shfrynte pa fund, jo sikur të ishte në një intervistë televizive po në karrigen e psikologut.

Pasi nuk mundet që në një vend normal demokratik, pas një shkrimi apo kronike televizive, të gjithë të pushtetshmit që kritikohen të marrin telefonin e të bombardojnë drejtuesit. Konsiderohet shkelje e vijës së kuqe të një vendi demokratik.

‘Report’, emisioni që publikoi dokumentarin e fortë kundër Ramës dhe Melonit, është një brand mediatik prestigjoz në Itali. I themeluar nga Milena Gabanelli e Sigrfido Lanuçi, ai është një nga shtyllat prestigjoze të shërbimit publik Italian RAI.

RAI është një nga televizionet publike më të vjetra e më prestigjoze të Europës. Ai ofron prej 50 vitesh një gamë të gjerë informacioni, edukimi, investigimi, spektakle, filmash e dokumentarësh nga cilësia më e lartë në botë. RAI është një nga bashkëautorët europianë të kryeveprave televizive prej shumë vitesh tashmë.

Logjika e mbështetësve mediatikë që emisioni i kësaj të diele të ‘Report’ është një manovër e së majtës italiane për të sulmuar Giorgia Melonin është një flluskë sapuni e shkallës sipërore. Pasi ai nuk është një televizion privat, aq më tepër që është një format që punon me plane afatgjatë.

Dy muaj më parë, gazetari që përgatiti dokumentarin, për Shqipërinë,  Giorgio Mottola e pyeti Edi Ramën gjatë Samitit për Ballkanin Perëndimor, në lidhje me rastin Bechetti. Një ngjarje që Edi Rama gjithmonë i shmanget dhe asnjëherë nuk i është përgjigjur në mënyrë shteruese.

Të gjitha këto dhe të tjera që janë diskutuar në opinionin publik Italian, ishin pjesë e investigimit të ‘Report’. Të cilat mund të mos i pëlqejnë Edi Ramës dhe njerëzve të tij. Por një media në një vend demokratik nuk ndërtohet për tu pëlqyer, por për tu hidhëruar dhe goditur.

Ajo që Edi Rama duhet të ndërmerrte është të fliste hapur për akuzat, pa shantazhuar e sulmuar askënd. Pasi së pari do të jetë një boomerang për të, ngaqë edhe të dielën Ranuçi do ta vijojë serinë e investigimit mbi Edi Ramën. E ka gjasa që të jetë më i hidhur. Në demokraci, i vetmi mekanizëm është përballja në gjykatë, e jo shantazhi duke përdorur pushtetin. Këtë nuk e ka bërë as Ramiz Alia, as Sali Berisha e as Fatos Nano.

E bëri Edi Rama, dhe i vuri një njollë të zezë vendit, fiks si Erdogani, i cili në mitingjet e AKP sulmon pa fund BBC dhe CNN. Ndaj dhe vizatohet si një lider oriental autoritar. Kështu do të quhet edhe Edi Rama prej ditës së nesërme…/Pamfleti

Publikuar nga Publik Media