Meta: Shqetësimet e Bundestagut përsëriten prej tri vitesh. Të mos zhytemi në izolim apo arbitraritet
Kreu i shtetit, Ilir Meta apelon për një reflektim të thellë dhe serioz për kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman.
Gjatë një fjale të mbajtur në 10-vjetorin e fondacionit “Konrad Adenauer Stiftung”, Meta theksoi se disa nga shqetësimet që pala gjermane adreson, janë të përsëritura prej të paktën tri vitesh në mënyrë sistematik.
“Më duhet ta theksoj se disa nga shqetësimet që ata adresojnë nuk janë të reja, por janë të përsëritura prej të paktën gati tri vitesh në mënyrë sistematike, konsistente, dhe në mënyrën më të ndershme e më me integritet duke na ndihmuar që t’i plotësojmë këto detyrime në kohë, që edhe ata ta kishin shumë më të thjeshtë sot me disa vende anëtare të Bashkimit Evropian. Këto ditë ne presim vendimin mbi çeljen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Urojmë dhe kërkojmë që ky vendim të jetë pozitiv dhe çdo vend skeptik që ka shqetësimet e tij konkrete, t’i bashkohet qasjes së Bundestagut, si rruga më e drejtë dhe e dobishme për të gjithë”, theksoi ai.
Për Presidentin, procesi i integrimi nuk bëhet me lobime por me reforma të vazhdueshme. “Kam patur gjithmonë bindjen se ky proces përparon vetëm falë zbatimit të reformave me rezultate konkrete dhe jo falë lobimit. Besoj se të gjithë do të kenë qenë të vëmendshëm që këtë e kam theksuar në mënyrë të vazhdueshme, duke e njohur mirë edhe procesin”, u shpreh.
Gjithashtu, Presidenti Meta nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për Evropën dhe jo Evropa për Shqipërinë.
“Ne nuk bëjmë dot pa Evropën dhe mbi të gjitha, shqiptarët që kanë ëndërruar në Dhjetor 1990 dhe në vijimësi në këto tri dekada, pa një demokraci të vërtetë dhe funksionale, pa zgjedhje të lira e të ndershme, pa parimet e kontrollit e të balancës së pushteteve, pa media të lirë, pa zgjedhje jo konkurruese. Por demokracia nuk ngel në vend, nuk fotografohet. Ajo forcohet, konsolidohet, ose tkurret dhe vdes ngadalë. Ndaj është shumë e rëndësishme t’i rikthehemi në vazhdimësi të kaluarës për të mos lënë asnjë mundësi për t’u zhytur përsëri në izolim apo arbitraritet dhe për të mos shuar llogaridhënien që është vendimtare dhe që dallon një sistem demokratik nga një jodemokratik”, shtoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



