E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Milan Radoiçiç bëhet pronar i 5 tokave pranë kufirit me Kosovën
Lajme

Milan Radoiçiç bëhet pronar i 5 tokave pranë kufirit me Kosovën

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili prej vitesh qëndron në arrati pas sulmit të armatosur në Banjskë, është shfaqur sërish në regjistrat e pronësisë në Serbi.

Sipas raportimeve të medias serbe, Radoiçiç rezulton tashmë pronar i pesë parcelave në Novi Pazar, në zonën kadastrale Kashal. Sipërfaqja e përgjithshme e këtyre tokave arrin në 37.319 metra katrorë, pra rreth 3.7 hektarë.

Novi Pazari ndodhet në jugperëndim të Serbisë, në rajonin e Sanxhakut, në një zonë relativisht pranë kufirit me Kosovën dhe Malin e Zi.

Një prej parcelave rezulton të jetë në bashkëpronësi me Siniša Nedelkoviçin nga Zveçani. Ky i fundit është subjekt i sanksioneve të vendosura nga Departamenti amerikan i Thesarit për lidhjet e tij me Zvonko Veselinoviçin, ish-partner biznesi të Radoiçiçit.

Radoiçiç prej tre vitesh nuk është shfaqur publikisht

Milan Radoiçiç nuk është parë publikisht prej rreth tre vitesh, pas ngjarjeve të Banjskës, ku ai mori përsipër përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës. Gjatë përplasjes mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Pas sulmit, Radoiçiç u tërhoq zyrtarisht nga drejtimi i kompanisë Inkop, si dhe nga disa kompani të tjera me të cilat kishte qenë i lidhur. Ndërkohë, një pjesë e pasurive të paluajtshme në Beograd u transferuan në emër të bashkëshortes së tij, Ema Radoiçiç.

Sipas raportimeve të mediave serbe, ai nuk figuron aktualisht në mënyrë formale në aktivitetet e biznesit, politikës apo futbollit, ku më herët kishte pasur ndikim.

Pasuritë në Dedinje kaluan në emër të bashkëshortes

Deri rreth dy vite më parë, Radoiçiç dhe bashkëshortja e tij figuronin si pronarë të dy objekteve dhe një parcele në zonën luksoze të Dedinjes, në Beograd.

Kompleksi ndodhet në Bulevardin Knez Aleksandar Karaxhorxheviç, në një zonë ku ndodhen edhe prona të lidhura me persona të tjerë të njohur të rrethit të tij, mes tyre Zvonko Veselinoviç dhe Nikola Petroviç, i njohur gjithashtu si kumbar i presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Më vonë, pronësia e këtij kompleksi kaloi e gjitha në emër të bashkëshortes së Radoiçiçit.

Fillimisht, në këtë pronë ishte parashikuar ndërtimi i një vile luksoze me sipërfaqe mbi tokë prej rreth 994.5 metrash katrorë, e shoqëruar edhe me një pishinë. Dokumentet e mëvonshme, megjithatë, parashikuan ndryshimin e projektit dhe ndërtimin e një vile edhe më të madhe, me sipërfaqe prej 1.569 metrash katrorë.

Tashmë, të dhënat e Kadastrës serbe tregojnë një rikthim të emrit të Radoiçiçit në regjistrat e pronësisë, këtë herë përmes pesë parcelave në Novi Pazar.

Bashkëpronari i parcelës, nën hetim edhe në Kosovë

Emri i Siniša Nedelkoviçit, i cili rezulton bashkëpronar me Radoiçiçin në njërën prej tokave, është përmendur më herët edhe në dokumente dhe raportime që lidhen me hetime në Kosovë.

Sipas raportimeve të mëparshme, ndaj Nedelkoviçit ka pasur një çështje aktive në Prokurorinë e Mitrovicës, ku ai dyshohej për një sërë veprash penale, përfshirë tentativën e vrasjes, prodhimin dhe shitjen e paligjshme të narkotikëve, si dhe armëmbajtjen pa leje.

Ndërkohë, vetë Radoiçiç vijon të jetë subjekt i sanksioneve amerikane.

Në Serbi, hetimet ndaj tij për ngjarjen e Banjskës vazhdojnë zyrtarisht, ndërsa në Kosovë ai është përfshirë në aktakuzën që lidhet me sulmin dhe është identifikuar si një nga drejtuesit e grupit të akuzuar për organizimin e tij.

Rikthimi i emrit të Radoiçiçit në regjistrat e pronësisë, pas transferimit të një pjese të pasurive të tij në emër të bashkëshortes, rikthen vëmendjen te pasuritë dhe rrjeti i tij i lidhjeve ekonomike në Serbi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.