E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Miliona nga taksat e makinave, por rrugët lihen rrugëve
Lajme

Miliona nga taksat e makinave, por rrugët lihen rrugëve

Nga këto, peshën kryesore e mban “Taksa për automjetet e përdorura të transportit”, të ardhurat e të cilës arritën në 7.4 miliardë lekë (rreth 76 milionë euro) vitin e kaluar me rritje 9.5% në raport me vitin 2024, sipas burimeve zyrtare nga Tatimet.

Të dhënat tregojnë se 359 milionë lekë ose 4.8% e totalit të taksës u vol ndaj makinave luksoze. Pa përfshirë pagesat në tolle, të ardhurat dhe tarifat ndaj automjeteve vitin e kaluar ishin rreth 32 miliardë lekë, rreth 340 milionë euro, me rritje vjetore 12.3%.

Këtyre u shtohen dhe rreth 26 milionë euro të paguara për të kaluar në Rrugën e Kombit, sipas të dhënave nga bilanci i Albania Highway Concession Company, që po mirëmban me koncesion Partneritet Publik-Privat (PPP) Rrugën e Kombit.

Teksa vlera e tatimeve dhe taksave që vilet ndaj automjeteve është e lartë, qeveria çon vetëm një pjesë të vogël te mirëmbajtja e rrugëve.

Të dhënat zyrtare tregojnë se fondet buxhetore për mirëmbajtjen nuk kalojnë mbi 3.5 miliardë lekë në vit (rreth 36 mln euro). Kjo shumë është dy herë më e ulët se të ardhurat që sigurohen nga taksat që paguhen në momentin e kontrollit teknik dhe është 10 herë më e ulët se të ardhurat totale nga taksat dhe tarifat mbi automjetet.

Ky disproporcion sugjeron se paratë që vijnë drejtpërdrejt nga përdoruesit e rrugës, e veçanërisht nga zotëruesit e mjeteve, nuk rikthehen në të njëjtën masë për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e asfalteve dhe rrugëve ku këto mjete qarkullojnë.

Me një total të ardhurash që i arrin 32 miliardë lekët në vitin 2025, fakti që vetëm një pjesë e vogël e kësaj shume shkon për mirëmbajtje rutinë mbetet një pikëpyetje e madhe për eficiencën e shpenzimeve publike karshi nevojave reale të rrjetit rrugor kombëtar.

Buxheti i shtetit funksionon me parimin e mos-destinimit te të ardhurave. paratë e mbledhura nga Taksa e Automjeteve dhe taksat e tjera derdhen në një thes të përbashkët. Këto fonde shpesh përdoren për të mbuluar vrimat në skemat e pensioneve, pagat e administratës ose për të shlyer borxhin publik, në vend që të rikthehen në rrugë.

Gjithashtu, prioriteti i qeverisë ka qenë historikisht ndërtimi i rrugëve të reja (investimet kapitale) dhe jo mirëmbajtja e atyre ekzistuese. Kjo ka krijuar një cikël ku rrugët degradojnë shpejt dhe kërkojnë rindërtim total, që kushton shumë më tepër se mirëmbajtja e vazhdueshme.

Por po të klasifikojmë edhe të gjitha fondet buxhetore që qeveria çon për ndërtimin e rrugëve, në shumë vite ato janë shumë më të ulëta se të ardhurat totale që vilen ndaj automjeteve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.