Shkurtohen fondet për arsimin e shëndetësinë
Ndryshimet e miratuara në mes të vitit për buxhetin 2025 zbulojnë një prirje alarmante të qeverisë: fondet për shëndetësinë dhe arsimin po shkurtohen, ndërsa rritet financimi për infrastrukturën, kryesisht në sektorë që kontrollohen nga ministrja Belinda Balluku.
Sipas Aktit Normativ nr. 6, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përfituar një shtesë prej 2.85 miliardë lekësh, duke e çuar buxhetin e saj total në 76.88 miliardë lekë – një rritje prej 4% krahasuar me fillimin e vitit. Këto fonde janë kanalizuar veçanërisht në projektet rrugore, të cilat përfitojnë 2 miliardë lekë më shumë (+6.6%). Po ashtu, u shtuan fondet për ujësjellës-kanalizime (+864 milionë lekë) dhe për energjinë (+200 milionë lekë).
Ndërkohë, arsimi dhe shëndetësia dy shtyllat e kapitalit njerëzor janë lënë në harresë. Ministria e Arsimit ka pësuar një ulje buxheti prej 100 milionë lekësh, ndërsa arsimi universitar është prekur ndjeshëm me një shkurtim prej 300 milionë lekësh (-2%). Vetëm kërkimi shkencor ka parë një rritje modeste prej 100 milionë lekësh.
Situata është edhe më dramatike në sektorin e shëndetësisë, ku buxheti është ulur me 1 miliard lekë (-1.3%). Goditja më e fortë bie mbi shërbimet e kujdesit parësor, që janë shkurtuar me 1.3 miliardë lekë (-19.3%) – një goditje e rëndë për pikën e parë të kontaktit të qytetarëve me sistemin shëndetësor. Edhe shëndeti publik ka humbur 334 milionë lekë (-6.7%), duke vënë në rrezik programet e vaksinimit, kontrollin e epidemive dhe parandalimin e sëmundjeve.
Kjo filozofi buxhetore e shpenzimeve tregon se qeveria Rama, nën drejtimin e ministrave si Balluku, vijon të japë përparësi betonit, jo njerëzve. Ndërkohë që shqiptarët largohen nga vendi për mungesë mundësish, qeveria zgjedh të investojë më shumë në rrugë sesa në dije e shëndet. A është ky një buxhet për zhvillim, apo një tjetër plan për pasurimin e klientelës së pushtetit?