E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ministrja Shahini i përgjigjet PD-së: Jam zemërthyer për çdo abuzim seksual që s’e kemi parandaluar
Publik News

Ministrja Shahini i përgjigjet PD-së: Jam zemërthyer për çdo abuzim seksual që s’e kemi parandaluar

Ministrja e Arsimit Besa Shahini i përgjigjet Partisë Demokratike që disa orë më parë përmes ish -deputetes Albana Vokshi kërkoi shkarkimin e ministres duke përmbledhur edhe një sërë rastesh të abuzimeve seksuale me të mitur që kanë ndodhur në pak kohë në disa shkolla të vendit.

Shahini thotë se është “zemërthyer për secilin rast të ngacmimit apo abuzimit seksual me të mitur”, të cilën nuk kanë arritur ta parandalojnë.

Ministrja Shahini thotë se për çdo rast janë marrë masat e menjëhershme, por ajo thelbin e këtij problemi e sheh tjetër kund, dhe jo të institucionet shtetërore.

“Duhet të ndryshojë gjithë kultura, mënyra se si shoqëria jonë trajton gratë, vajzat, grupet e brishta shoqërore,” thotë ndër të tjera ajo.

Reagimi i plotë:

Jam zemërthyer për secilin rast të ngacmimit apo abuzimit seksual me të mitur, të cilin nuk kemi arritur ta parandalojmë.

Për secilin rast të zbuluar apo denoncuar janë marrë menjëherë këto masa:

  • pezullim apo shkarkim nga puna MENJËHERË, e të gjithë stafit e të shkollës të cilët kanë qenë të përfshirë direkt apo indirekt në këto raste (përfshirë drejtues, psikologë apo mësues kujdestar që nuk kanë qenë të përfshirë në rast, por kanë patur për detyrë të kujdesen për mirëqënien e nxënësve);
  • hetim i thelluar i gjendjes së përgjithshme në shkollë përmes intervistave me nxënës, prindër dhe komunitetin shkollor;
  • ofrim i shërbimit psiko-social, dhe mbështetje e përgjithshme shkollore dhe pas-shkollore, për viktimat e ngacmimit apo abuzimit.

Gjithashtu, organet e drejtësisë kanë ndjekur penalisht secilin nga rastet e denoncuara. Pra, NUK ka “kulturë mosndëshkueshmërie” në Shqipëri ndaj rasteve të abuzimit seksual, siç ishin shprehur disa OJF. Kur rastet denoncohen, personat përgjegjës ndëshkohen menjëherë.

Por, qartazi ka kulturë fshehjeje dhe mosraportimi, deri sa bëhet shumë vonë. Kjo është ajo që po synojmë ta ndryshojmë, së paku në shkollë, në hapësirat që do të duhej të ishin të sigurta për të gjithë fëmijët.

Dua të përsëris mesazhin që dhashë ditën e hënë: përgëzoj nxënësit tanë që kanë gjetur kurajon të denoncojnë bullizmin, dhunën apo abuzimin që kanë përjetuar. Kjo është e vetmja mënyrë që të rriturit dhe institucionet të kenë mundësi të dënojnë këtë dhunë dhe të sigurohen që nuk do të ndodhë më në të ardhmen.

Shpesh viktimat nuk denoncojnë dhunën që kanë përjetuar, sepse ndihen me faj apo me turp për atë që u ka ndodhur. POR, FAJI DHE TURPI I TAKOJNË ABUZUESIT!

Që shkolla të shndërrohet në hapësirë të sigurtë, ne po dyfishojmë numrin e psikologëve dhe punonjësve socialë dhe po trajnojmë ata për adresimin e ndjeshëm te çështjet e ngacmimit dhe abuzimit seksual. Si dhe po bëjmë edhe një fushatë sensibilizuese për nxënësit, që t’i njohim ata me mbrojtjen që u ofron si rregullorja e arsimit parauniversitar, ashtu edhe Kodi Penal.

Por, po e përsëris, nuk zgjidhjet kjo çështje vetëm me Kodin Penal. Duhet të ndryshojë gjithë kultura, mënyra se si shoqëria jonë trajton gratë, vajzat, grupet e brishta shoqërore. E gjithë kjo duhet të ndryshojë.

Media luan një rol kyç në këtë mes. Do të dëshiroja shumë që media të raportonte në mënyrë të drejtë rastet e abuzimit seksual. Ajo që kam parë deri tani ka qenë një tmerr i vërtetë. Përshkrim detajesh identifikuese të viktimave dhe fajësim indirekt i viktimave. Tmerr! Por, është ky raportim, që është reflektim i kulturës së përgjithshme të trajtimit të kësaj teme të ndjeshme, që na bën të kuptojmë se sa shumë punë kemi për t’u shndërruar në një shoqëri më të mirë, për gratë, për grupet e brishta dhe për fëmijët tanë.

***

Partia Demokratike kërkon shkarkimin e Ministres së Arsimit Besa Shahini, pas abuzimeve të njëpasnjëshme seksuale me të mitur në disa shkolla të vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi rendit disa nga këto raste të rënda, që janë denoncuar dhe bërë publike në media. Vokshi akuzon Shahinin se jo vetëm nuk është denoncuar nga dhuna, por “nga divani i shtëpisë, përgjegjësinë ia kaloi prindërve”.

Reagimi i plotë i Vokshit:

Shumë e drejtë kërkesa e të rinjve sot për dorëheqjen e Besa Shahinit. Heshtja e saj për rastin e të miturës së përdhunuar dhe më pas të abuzuar në shkollë është abuzim për së dyti me vajzën. Besa Shahini nuk mund të fshihet pas shkarkimit kaq të vonuar të drejtorit të shkollës.

Fatkeqësisht, nuk është rasti i vetëm që shkollat e shndërruara në organizata të Partisë Socialiste, fshehin dhe lejojnë abuzimet me fëmijët për të mos dëmtuar besueshmërinë e qeverisë dhe të partisë që i ka emëruar pa asnjë meritë.

Vetëm vitin e fundit, në Kavajë një vajzë 14-vjeçare u abuzua seksualisht, u shantazhua me video intime nga 8 adoleshentë për një kohë të gjatë. Ministrja e Arsimit heshti. Drejtori i shkollës, drejtoria arsimore, policia heshtën dhe e fshehën krimin për shumë ditë. Reagimi shumë i vonuar i qeverisë ishte edhe më skandaloz “Ngjarje të tilla bëhen edhe filma”.

Në Arapaj, Durrës një vajzë 8-vjeçare u mor me forcë, u lidh brenda në klasë dhe ngacmua brenda shkollës 9-vjeçare nga dy djem, njëri prej të cilëve djali i një funksionari të PS të zonës. Ministrja e Arsimit përsëri heshti, siç heshtën të gjitha institucionet arsimore dhe policia.

Në Fier, një rrjet i tërë mësuesish dhe drejtuesish të shkollës “Jakov Xoxa”, fshehën  abuzimin seksual të dy mësuesve me nxënëset e tyre të mitura. Të gjithë heshën në mbrojtje të abuzusve me vajzat, heshtën sepse drejtoresha militante socialiste e shkollës ishte bashkëshortja e njërit prej mësuesve abuzues.

Në Delvinë, një mësues dhunoi seksualisht nxënësen 11 vjeçare në shkollën e fshatit Kalasë. Çfarë bëri qeveria e Edi Ramës dhe e Besa Shaninit? Mësuesi monstër u trasnferua nga një shkollë në tjetrën. Asnjë masë kundër tij, ndërkohë që raportohen edhe të paktën 3 raste të tjera abuzimi seksual me të mitura nga ana e tij.

Në Tepelenë, një mësues 63 vjeçar u akuzua për ngacmime seksuale me të paktën dy nxënëse në shkollë.

Këto janë vetëm rastet e denoncuara, por të gjithë e dimë se është vetëm maja e ajsbergut. Është vetëm ajo që duket nga një sistem i kalbur nga militantizmi dhe nga një shoqëri e ndrydhur dhe pa besim se abuzuesit e fëmijëve do të ndëshkohen.

Sa fëmijë të tjerë abuzohen në shkolla që nuk kanë guxim apo druhen të flasin?  Sa prindër heshtin që të mos njollosin fëmijët e tyre në publik, sepse në Shqipëri drejtësia nuk vihet në vend? Se shteti vihet në anën e të fortit, pedofilit, kriminelit, dhunuesit e përdhunuesit, duke i lënë fëmijët të pambrojtur në ambjentet që duhet të ishin më të sigurta.

Besa #Shahini duhet të japë #dorëheqjen edhe për faktin se është treguar e pandjeshme ndaj rastit të 15 vjeçares së abuzuar. Ajo jo vetëm nuk është distancuar nga dhuna, por nga divani i shtëpisë, ia kaloi përgjegjësinë prindërve të vajzës.

#Besa Shahini duhet të japë #dorëheqjen, sepse heshtja e saj dhe fshehja pas shkarkimit të një drejtori sjell viktima të tjera të abuzimit seksual në shkolla.

Në një sistem të rrënuar e të shkatërruar arsimor nga qeveria ku bën pjesë, #dorëheqja është xhesti i fundit njerëzor që i ka mbetur Besa Shahinit…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.