Një oxhak nga i cili delin sasi të mëdha tymi po ndot ajrin në Njësinë Administrative të Rrubikut në Bashkinë Mirditë. Bëhet fjalë për një fabrikë të prodhimit të asfalt betonit që ka nxitur edhe reagimin e banorëve të fshatrave Rrasfik, Fierzë e Fang. Ata kanë dalë në protestë pasi nuk kanë gjetur zgjidhje nga Bashkia e Mirditës duke kërkuar mbylljen e menjëhershme të fabrikës ose filtrimin e gazrave që çlirohen nga puna në këtë fabrikë. Banorët kundërshtojnë vazhdimin e mëtejshëm të ndotjes së mjedisit që po ndikon edhe në shëndetin e tyre, ndërsa thonë së fabrika është e paliçensuar dhe nuk disponon asnjë dokument.

Për të shmangur vëmëndjen e banorëve të zonës, drejtuesit e fabrikës kanë vijuar punën gjatë natës, në mënyrë që të mos vihej re sasia e madhe e gazrave që çlirohej, por që gjithsesi ka tërhequr vëmëndjen e banorëve. Në këto kushte është kërkuar ndërhyrja e Agjensisë Kombëtare të Mjedisit apo edhe institucioneve të tjera shtetërore për ti dhënë fund ndotjes së mëtejshme dhe mbylljen e aktivitetit. Shqetësimit të banorëve, kryetari i Bashkisë Mirditë Ndrec Dedaj i pyetur nga gazetarët, ka deklaruar se kjo fabrikë do të jetë e përkohshme dhe se është vënë në punë për të prodhuar asfalt për rrugën Rrëshen – Bukmirë, e cila është në ndërtim.

Edhe pse banorëve të fshatrave Fierzë, Rrasfik e Fang në njësinë Admnistrative Rubik u është kërkuar që të durojnë gazrat që prodhon vënia në funksion e kësaj fabrike asfalt betoni, banorët kanë nisur protestat. Shqetësimin e tyre banorët e zonës që ndoten nga puna në fabrikën e asfalt betonit në Rrasfik e kanë depozituar edhe në polici. Dy ditë më parë blutë e Mirditës kanë referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për shtetasin P.N, 64-vjeç, banues në Sheshaj, bashkëpronar i fabrikes në fjalë, pasi nga prodhimi i asfaltit, ka ndotje të ambientit në zonen përreth thuhet në njoftimin e policisë.