“Mjalti kinez” i del nga “hundët” Edi Ramës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë ashpërsuar qëndrimin ndaj kryeministrit Edi Rama, pas një sërë sinjalesh politike dhe diplomatike që kanë ardhur në një kohë shumë të shkurtër. Deklaratat e Ramës, të shoqëruara shpesh me tone ironike dhe batuta publike, këtë herë duket se kanë prodhuar pasoja reale në marrëdhëniet me Uashingtonin.
Një prej deklaratave që ka nxitur reagime të forta ishte ajo se “Shqipëria është si mjaltë për Kinën”, e cila u lexua nga shumëkush si një provokim i panevojshëm në një moment delikat gjeopolitik. Brenda 24 orëve, Ambasada Amerikane në Tiranë përcolli disa mesazhe të forta publike, të cilat në qarqet politike u interpretuan si sinjale të drejtpërdrejta për kreun e qeverisë.
Goditja më e ndjeshme mbetet pezullimi i vizave emigruese, një vendim që qeveria u përpoq ta minimizonte duke theksuar se nuk preken vizat turistike. Megjithatë, në praktikë, ky vendim prek një numër të konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë, pasi përfshin bashkimet familjare dhe programet e emigrimit, përfshirë edhe lotarinë amerikane.
Ndërsa qeveria u përpoq ta shkëpuste veten nga përgjegjësia, raportime ndërkombëtare sugjerojnë se vende të tjera me probleme serioze emigracioni kanë arritur marrëveshje funksionale me SHBA-në. Rasti i Meksikës përmendet shpesh si shembull i një zgjidhjeje përmes dialogut dhe angazhimit diplomatik, ndërkohë që Shqipëria perceptohet ende si një vend periferik në raport me interesat strategjike amerikane.
Në këtë sfond, Ambasada Amerikane publikoi disa mesazhe radhazi në rrjetet sociale. Në njërin prej tyre, e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, theksoi rëndësinë e përzgjedhjes së investitorëve strategjikë, duke rikujtuar se “siguria ekonomike është siguri kombëtare”, një deklaratë që u interpretua gjerësisht si paralajmërim për afrimet e hapura me Kinën.
Një tjetër mesazh erdhi në vijim të një deklarate të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, mbi gërryerjen e lirisë së shprehjes në Europë. Theksimi i kësaj teme nga Ambasada në Tiranë u pa si një sinjal kritik ndaj qeverisë shqiptare, në një kohë kur raportet ndërkombëtare kanë evidentuar problematika serioze në lirinë e medias, ndërsa vetë Rama ka ashpërsuar retorikën ndaj gazetarëve kritikë.
Mesazhi më i fortë u dha gjatë ceremonisë përmbyllëse të një trajnimi të udhëhequr nga FBI për hetuesit e SPAK dhe BKH, ku VanHorn deklaroi hapur se krimi i organizuar po nxit emigracionin masiv dhe përbën kërcënim serioz për stabilitetin e Shqipërisë dhe për sigurinë amerikane. Ajo theksoi se rrjetet kriminale, përfshirë grupet shqiptare të lidhura me kartele ndërkombëtare, po dëmtojnë zhvillimin ekonomik përmes trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, shpesh të lehtësuara nga teknologjitë moderne.
Të gjitha këto zhvillime kanë ushqyer perceptimin se marrëdhëniet mes Edi Ramës dhe administratës së Presidentit Trump janë në një fazë të ftohtë. Që nga ardhja e Trump në pushtet, Rama nuk ka zhvilluar asnjë vizitë zyrtare në SHBA, nuk është pritur nga figura të larta të administratës dhe as nuk ka marrë sinjale mbështetjeje publike. Madje, edhe përfaqësues të posaçëm amerikanë për rajonin kanë shmangur takime direkte gjatë vizitave në Tiranë.
Në këtë kontekst, deklaratat e fundit për Kinën duket se kanë shërbyer si katalizator për një reagim më të ashpër nga Uashingtoni, duke e vendosur kryeministrin shqiptar përballë një realiteti diplomatik më të ftohtë se sa retorika e tij publike për “lider global”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



