Motrat e Xhuana Nikollit thyejnë heshtjen për herë të parë
Mes dhimbjes dhe lotëve, familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin e përgjegjësve
Në një atmosferë të ngarkuar emocionalisht, mes heshtjes së rëndë dhe dhimbjes së dukshme, familjarë, miq dhe qytetarë u mblodhën për të nderuar kujtimin e 25-vjeçares Xhuana Nikolli. Nën thirrjen “Drejtësi për Xhuanën”, ata ndezën qirinj dhe kërkuan që rasti i saj të mos mbetet pa përgjigje.
Për herë të parë që pas tragjedisë, motrat e saj, Marjana dhe Silvana Nikolli, vendosën të flasin publikisht. Me zë të dridhur dhe mes lotëve, ato kërkuan zbardhjen e plotë të asaj që ndodhi, duke theksuar se drejtësia është detyrim, jo zgjedhje.
Ato u bënë thirrje institucioneve që të veprojnë me përgjegjësi dhe seriozitet, ndërsa nënvizuan se kjo ngjarje duhet të shërbejë si një alarm për çdo vajzë dhe grua që përballet me dhunë apo kërcënime në jetën e përditshme.
“Xhuana nuk duhet të harrohet. Drejtësia për të është një mesazh për çdo grua që ka nevojë të ndihet e mbrojtur,” – u shprehën familjarët gjatë homazhit qytetar.
Ngjarja tragjike që i mori jetën 25-vjeçares ndodhi më 10 mars të këtij viti. Ajo ndërroi jetë në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, ku u transportua në gjendje të rëndë pas vetëhelmimit me fostoksinë.
Një ditë pas kësaj ngjarjeje, familjarët depozituan kallëzim në Komisariatin nr. 2 në Tiranë ndaj bashkëshortit të saj, duke ngritur dyshime për dhunë të vazhdueshme ndaj të resë. Sipas burimeve, në trupin e saj janë konstatuar edhe shenja dhune.
Ndërkohë, Policia e Tiranës e ka shpallur bashkëshortin në kërkim, por deri më tani ai nuk është vënë në pranga.
Çifti ishte martuar në qershor të vitit 2025, por marrëdhënia kishte përfunduar katër muaj më parë për shkak të konflikteve të vazhdueshme.
E reja ishte gjetur në gjendje kritike nga një shoqe e saj, e cila kishte njoftuar menjëherë shërbimet e urgjencës. Në dëshminë e saj para policisë, ajo ka deklaruar se Xhuana dhunohej në mënyrë të përsëritur nga partneri.
Para aktit ekstrem, 25-vjeçarja kishte lënë edhe një letër, ku shprehte pendesë dhe kërkonte falje ndaj familjes për zgjedhjet që kishte bërë në jetë.
Rasti i saj vijon të mbetet një plagë e hapur, ndërsa kërkesa për drejtësi po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



