E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Mam, bab, nuk ju kam koritur…”, letra rrëqethëse e Xhuana Nikollit
Lajme

“Mam, bab, nuk ju kam koritur…”, letra rrëqethëse e Xhuana Nikollit

Motra e 25-vjeçares rrëfen mes lotësh: Ishte një vajzë që jetonte për dashurinë, por ajo nuk iu kthye kurrë… u shua në dhunë

“Vajzë e ëmbël, e qeshur, shumë zemërgjerë, një vajzë që prekej nga fjalët, që kishte një dashuri të madhe për ish-bashkëshortin. Dhe kjo dashuri e mbante, sikur jetonte për të. Por nuk iu kthye kurrë ajo dashuri, nuk iu kthye kurrë. Ishte një yll që lindi në dashuri, por u fik në dhunë”.

Kështu e përshkruan motra e saj, Xhuana Nikollin, 25-vjeçaren që i dha fund jetës duke konsumuar fotoksinë, pas dhunës së ushtruar ndaj saj nga ish-bashkëshorti, Eraldo Fizi.

Por përtej dhimbjes së madhe, rasti i Xhuanës mbetet i mbuluar nga një sërë pikëpyetjesh, që edhe sot vazhdojnë të kërkojnë përgjigje.

Një histori dashurie që përfundoi në tragjedi

Xhuana dhe Eraldo ishin njohur që në bankat e gjimnazit. Një lidhje disa-vjeçare që u kurorëzua me martesë më 9 qershor 2025. Ajo kishte përfunduar studimet për drejtësi, ndërsa ai kishte mbyllur arsimin me gjimnazin.

Por martesa e tyre zgjati vetëm tre muaj. Ende nuk është e qartë se çfarë çoi në përkeqësimin e marrëdhënies, por sipas familjarëve, konfliktet nisën menjëherë pas martesës.

Në nëntor, Xhuana vendosi të largohej nga banesa bashkëshortore në Lezhë dhe të zhvendosej në Tiranë. Fillimisht jetoi te motra e saj dhe më pas mori një apartament me qira, të cilin e ndante me një shoqe.

Nata e fundit dhe dëshmitë që mungojnë

Mbrëmja e 9 marsit mbetet kyçe për zbardhjen e ngjarjes. Sipas dyshimeve, atë natë Xhuana është dhunuar nga Eraldo Fizi. Por mbeten ende pa përgjigje shumë pyetje, përfshirë rolin e shoqes së saj, e cila ishte në banesë dhe më pas edhe në spital në momentet e fundit të jetës së Xhuanës.

Askush nuk ka dhënë një version të qartë për orët e fundit të saj: a ishte ajo e pranishme gjatë dhunës, çfarë ndodhi realisht në atë apartament dhe kush ishte aty në ato momente?

Ndërkohë, Eraldo Fizi është shpallur në kërkim që prej datës 10 mars për “dhunë në familje” dhe “shkaktim të vetëvrasjes”, por vijon të jetë në arrati.

“Motra ime dhe mami aty kemi pas kontaktin e fundit me të që ka dhënë deklaratën për ngjarjen e Xhuanës. Tani vetëm ia kemi lënë autoriteteve në dorë që ta marrin në pyetje sërish, si ka ndodh ngjarja, të ballafaqohen mendimet”, shprehet motra.

Misteri i fotoksinës dhe hetimi

Një nga enigmat më të mëdha mbetet mënyra se si Xhuana siguroi fotoksinën. A e bleu vetë apo u detyrua ta konsumojë?

Familjarët ngrenë dyshime serioze edhe mbi mënyrën e shitjes së kësaj substance të rrezikshme.

“Ne nuk e dimë ku e ka blerë, kush e ka marrë. Një vajzë e re t’i shitet një fotoksinë, të ketë kaq shumë lehtësi të shitet pa asnjë lloj certifikimi… Duhet të jenë persona të autorizuar që ta blejnë… Po ku është shoqëria jonë, pse lejohet të shitet?”, shprehet motra, Marjana Kalaj.

Hetimi duhet të verifikojë gjithashtu vërtetësinë e letrës që Xhuana ka lënë, pamjet e kamerave të sigurisë, si dhe tabulatet telefonike për të zbardhur lëvizjet e fundit të Eraldo Fizit.

Letra e fundit dhe shenjat e dhunës

Në letrën që la për familjen, Xhuana shkruante:

“Mam, bab, nuk ju kam koritur. Nuk kam bërë asgjë për ta merituar këtë. Ai më ka rrahur saqë nuk e duroj dot më këtë lloj dhune që më ka bërë. Ju dua shumë, mos qani”.

Kjo letër, sipas familjarëve, është një dëshmi e drejtpërdrejtë e dhunës që ajo kishte përjetuar.

Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi shenja dhune në trupin e saj, përfshirë fytyrën dhe trupin, si dhe rroba të grisura që sugjerojnë për një përleshje fizike.

“Ka foto të ekspertizës mjekoligjore… te pjesa e fytyrës, e trupit, xhupi i saj i grisur…”, tregon motra.

Një jetë mes sakrificash dhe një fund i padrejtë

Sipas Marjanës, Xhuana ishte rritur në një familje pa dhunë, me dashuri dhe sakrifica nga prindërit.

“Në atë moshë që ishte motra ime ajo nuk ishte rritur kurrë në asnjë lloj dhune… Kemi pasur gjithmonë harmoni, respekt… Kur e kam parë motrën time në atë gjendje, kam thënë ‘mos çfarë paska bërë’”, rrëfen ajo.

Xhuana punonte çdo ditë dhe synonte të ndërtonte një karrierë si notere. Ndërsa sipas motrës, Eraldo nuk punonte dhe ishte i përfshirë në një jetë me vese, përfshirë bixhozin.

Rrëfimi i dhimbshëm i familjes

Dhimbja e familjes është e thellë dhe e përditshme.

“Ne flejmë me fotot e Xhuanës… Prindërit e mi nuk rrinë të qetë nga ideja pse ia morën jetën vajzës së tyre… Ai mund të jetojë diku jashtë, por prindi e ka mendjen aty, pse nuk po paguan për atë që ka bërë”, shprehet motra.

Ajo rrëfen edhe vështirësinë për t’u shpjeguar fëmijëve mungesën e tezes së tyre:

“Nuk di si t’u them fëmijëve të mi se ku është tezja… për ne është traumë që nuk e pranojmë”.

Thirrja për drejtësi

E vetmja kërkesë e familjes është drejtësia.

“Dhimbje shumë e madhe… kjo plagë nuk do shërohet kurrë. Por do të doja që Eraldo Fizi të marrë dënimin e merituar… Uroj që drejtësia të funksionojë për të gjitha femrat”, shprehet Marjana.

Në fund, ajo i drejtohet drejtpërdrejt ish-bashkëshortit të motrës së saj:

“Pse e dhunove motrën tonë? Pse ia bëre këtë gjë? Ajo nuk e meritonte atë vuajtje… Të kapet sa më shpejt autori dhe të vendoset para drejtësisë… Kudo që të fshihesh, një ditë do dalësh dhe do paguash për atë dhunë fizike”.

Një histori që nuk duhet harruar

Rasti i Xhuana Nikollit nuk është vetëm një tragjedi familjare, por një kambanë alarmi për shoqërinë. Një thirrje për të mos heshtur përballë dhunës dhe për të mbrojtur jetën e grave dhe vajzave.

Sepse, siç thotë edhe motra e saj, askush nuk meriton të humbasë jetën nga dhuna.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.