E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Moza – Zhan d’Arku i Shqipërisë
Lajme

Moza – Zhan d’Arku i Shqipërisë

U shfaq në ekran si një rrufe, si një dritë dhe si një shpëtimtare e gruas shqiptare, në një kohë kur ekrani ynë prodhonte vetëm silikon e plastikë gjatë këtyre 15 viteve të fundit. Ky ekran i njëjtë, ndër vite, rriti çmimin e silikonit dhe uli vlerën e gruas që e bëri Nëna Natyrë.

Dhe papritmas, Moza u shfaq mu në këtë ekran, jo me trup të bërë, por me mendje të ndritur. Jo me trup të injektuar, por me thjeshtësi dhe dashni që e trashëgoi që nga lindja dhe rritja e saj.

Ajo u shfaq si Zhan d’Arku, shenjtorja franceze që e dogjën në shesh sepse foli më shumë se ç’duhej, por fjalën nuk ia dogji askush.

Edhe Moza e ndezi ndërgjegjen tonë të fshehur të dijes interkontinentale që ajo e ka, duke e shfaqur në bisedat e saj brenda asaj ferme me banoret e tjera femra, që po zbulojnë se ka më shumë nga një grua sesa flokët, bukuria dhe thashethemet.

Moza është gruaja shqiptare që kemi harruar: ajo gruaja tiranase akademike, ajo gruaja e karnavaleve të Korçës, ajo gruaja që trashëgoi teatrin nga gjyshja dhe që ngas biçikletën në Shkodër; ajo gruaja që vishej “punk” në fillim të viteve ’80 në Prishtinë; ajo që del në park me libra në dorë, jo me filtra në faqe; ajo që rri me gra të tjera, që i dëgjon dhe i ndihmon.

Moza po na kujton diçka kolektive që moti na kishte munguar:
që vlera nuk është artificiale, por e përmbytur qëllimisht;
që bukuria nuk matet me sasi silikoni;
që gruaja shqiptare nuk ka nevojë për shpëtim nga burri – por nga sistemi që e ka zhveshur atë nga dinjiteti.

Dhe herë pas here, tani kemi Mozën çdo natë, me dije, me këshilla dhe të pakompromis në vlerën e gruas shqiptare, e cila është fshehur qëllimisht nën fasadën e rreme të showbiz-it tonë helmues.

Moza nuk është trend.
Moza është kthim te rrënjët.
Te gruaja.
Te vlera.

Moza është shqiptarja që e kishim dhe e harruam.

Zhan d’Arkun e dogjën në shesh, kurse Moza po ndez ndërgjegjen tonë të fshehur.

M.H.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.