Na mbyllën derën, por jo zërin, fjalën dhe misionin…
Igli Çelmeta
Ky nuk është thjesht një objekt.
Pas këtyre mureve është djersa dhe mundi i dhjetëra gazetarëve, redaktorëve, kryredaktorëve, operatorëve, montazhierëve, shoferëve, punonjësve të teknikës, regjisë e transmetimit të News24. Është puna e njerëzve të ndershëm që çdo ditë janë përpjekur të japin më të mirën, duke i qëndruar besnikë të vërtetës dhe duke qëndruar gjithmonë në krah të qytetarëve.
Sot, për mua si gazetar, ishte një nga ditët më të vështira të jetës sime profesionale. Pashë derën e televizionit ku punoj të mbyllur me dry, nga forca e pushtetit. U munduam të hynim “live” në YouTube, vetëm që t’i tregonim publikut se nuk ishim në transmetim jo për fajin tonë. U futëm live në youtube. Lotët e drejtoreshës Anila Jole më prekën shumë dhe na tronditën të gjithëve dhe u transmetuan dhe te ne si një dhimbje brenda një familje. Nuk ishin lot për muret e një godine, por për lirinë e fjalës dhe shprehjes, për mundin e shumë viteve pune të ndershme, për të ngritur një emër që sot e njeh çdo shqiptar, News24.
Ne kërkonim të hynim në godinën tonë të redaksisë. Kjo godinë e re, e cila nuk është nën administrimin e kompanisë “Kajo”, por i përket “Panorama Group”, me kontratë qiraje deri në vitin 2033, e tha zyrtarisht edhe ministria e Ekonomisë. Aty ndodhet redaksia e News24 dhe studioja e lajmeve. Megjithatë, padrejtësisht na u ndërprenë dritat dhe sinjali. Pse? Sepse nuk donin që ne të ishim live, që publiku të shihte ndërhyrjen e tyre në godinën tjetër, në një orë të paprecedent, 6 të mëngjesit të një të shtune.
Qëndruam me orë të tëra te dera e televizionit. Kur policia u largua dhe më pas erdhi ushtria me policinë ushtarake për ta mbyllur sërish, shumica u nisën të ktheheshin në shtëpi. Por unë nuk ndjeja dot këmbët të më largonin. U ula te porta dhe ndjeva se po të ikja, ishte sikur po largohesha nga shtëpia ime, nga familja ime. Sepse News24, për të gjithë ne, është bërë një familje. U ula aty, në pragun e një dere që për mua nuk është thjesht vend pune, por shtëpi.
Teksa qëndroja para derës së mbyllur ajo që po mendoja ishte:
Një familjeje mund t’i heqësh strehën, por nuk mund t’i ndash zemrën, dashurinë, besimin dhe përkushtimin. News24 do të mbetet gjithmonë një familje e fortë edhe nëse na lënë pa mure, pa çati, ne do të jemi gjithmonë aty për të thënë të vërtetën dhe për të qenë pranë publikut shqiptar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



