Nacionalistët e VMRO që mund të futojnë zgjedhjet, refuzojnë kompromisin me Bullgarinë

Shtatë vjet më parë, socialdemokratët e Maqedonisë së Veriut erdhën në pushtet me premtimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe luftën ndaj korrupsionit. Ndërsa është bërë shumë pak për secilën prej tyre, votuesit e zhgënjyer duken sot të gatshëm ta rikthejnë në pushtet VMRO-DPMNE-në konservatore e të pa reformuar, periudha e të cilës në pushtet në vitet 2006-2016, u karakterizua nga tendenca jodemokratike.

Kandidatja e qendrës së djathtë Gordana Siljanovska-Davkova, e mbështetur nga VMRO-DPMNE, e mundi presidentin aktual Stevo Pendarovski, të mbështetur nga LSDM në pushtet e qendrës së majtë dhe 5 kandidatë të tjerë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt më 24 prill.

Ai rezultat, mund të jetë një pararendës i asaj që do të ndodhë në balotazhin që mbahet sot, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Me këtë garë zgjedhore, lidhet edhe çështja e një amendamenti kushtetues. Në vitin 2020, Bullgaria vendosi veton kundër anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Sofja ka kërkuar përfshirjen e gjuhës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe njohjen e bullgarëve etnikë si një nga popujt themelues të vendit, si një parakusht për rifillimin e negociatave të pranimit në BE.

Amendamenti i propozuar, përbën vetëm njërën në një seri mosmarrëveshjesh mbi identitetin dhe historinë, që kanë pllakosur marrëdhëniet midis dy vendeve, dhe që e kanë penguar përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE.

Sondazhi ka zbuluar se mbi 2/3 e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, janë kundër ndryshimeve kushtetuese. Pro amendamenteve janë LSDM në pushtet dhe partitë nga blloku shqiptar (BDI dhe VLEN), ndërsa kundër janë opozita e VMRO-DPMNE, ZNAM dhe Levica.

Për të kuptuar më mirë se çfarë mund të ndodhë në zgjedhjet e sotme, ia vlen të analizohen  rezultatet e 24 prillit. Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, Siljanovska-Davkova mori 40 për qind të votave, më shumë se dyfishi i votave të Pendarovskit, i cili mori më pak se 20 për qind.

Siljanovska- Davkova, tejkaloi parashikimet e sondazheve dhe fitorja e saj do ta ndihmojë shumë VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë, Pendarovski pati rezultatin më të dobët të një kandidati socialdemokrat që nga pavarësia e vendit në vitin 1991, duke treguar pakënaqësinë e madhe të votuesve me koalicionin qeveritar LSDM-BDI gatë 7 viteve të fundit.

Përveç performancës më të mirë se sa pritej nga VMRO-DPMNE, dhe rezultatit të dobët të LSDM-së, raundi i parë i presidencialeve pati disa surpriza. Disa analistë mendonin përpara zgjedhjeve se apatia e votuesve, mungesa e interesit për politikën, dhe zhgënjimi me qeverinë aktuale dhe opozitën e pa reformuar, do të sillte një pjesëmarrje të ulët të votuesve. Megjithatë, pjesëmarrja ishte gati 50 për qind, pra më e lartë se niveli 42 për qind që u regjistrua në raundin e parë të zgjedhjeve të vitit 2019. Me 7 kandidatë në garë, numri i lartë i opsioneve ka të ngjarë t’i ketë ndihmuar votuesit të shkojnë drejt qendrave të votimit.

Duke qenë se balotazhi mbahet paralelisht me zgjedhjet parlamentare, pjesëmarrja pritet të mbetet e qëndrueshme. Gjithsesi, një bojkot i mundshëm nga votuesit shqiptarë etnikë, mund të kërcënojë pragun prej 40 për qind që kërkojnë zgjedhjet presidenciale.

Një surprizë tjetër, ishte rezultati befasues i kryetarit të komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, i mbështetur nga lëvizja e tij e sapoformuar ZNAM. Dimitrievski i ka tejkaluar sondazhet, duke fituar më shumë se 83.000 vota (9.26 për qind të votave), dhe duke u pozicionuar në vendin e katërt.

Kjo e pozicionoi lëvizjen ZNAM si një opsion të tretë me ndikim përpara zgjedhjeve parlamentare. Një ish-socialdemokrat, Dimitrievski dëmtoi krahun më konservator të LSDM-së, ku shumë ish-anëtarë të kësaj partie kanë kaluar me partinë e re ZNAM.

Pavarësisht spekulimeve se opozita e bashkuar shqiptare, VLEN, mund të merrte me shumë bota se Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet, rezultati foli ndryshe. Pavarësisht një beteje të ashpër, kandidati i BDI-së, Bujar Osmani, mundi Arben Taravarin e VLEN me rreth 37.000 vota.

VLEN bashkoi vërtet zërat kryesorë të opozitës, por BDI-ja kishte ende në ndihmë aparatin shtetëror, teksa arriti të kishte me vete PDSH-në e Menduh Thaçit, Aleancën për Shqiptarët të Ziadin Selës, si dhe disa parti të komunitetit rom. Komunitetet turke dhe boshnjake, u dhanë mjaftueshëm vota për të arritur një fitore.

Partia e majtë Levica dështoi bujshëm. Biljana Vankovska Cvetkovska mori vetëm 41.000 vota, ose rreth 4.5 për qind. Por ky rezultat, mund të jetë një dëshmi se partia e ka stabilizuar bazën e saj, pasi mori rreth 37.000 vota në zgjedhjet parlamentare 2020, dhe rreth 50.000 vota në zgjedhjet lokale të 2021-shit.

Siljanovska- Davkova e VMRO-DPMNE-së, mbetet e favorizuar për të mposhtur Pendarovskin e LSDM-së në balotazhin e sotëm. Por të gjithë sytë janë tek kandidatët humbës, dhe cilin nga 2 kandidatët do të mbështetin ata. Në zgjedhjet parlamentare garojnë 17 parti apo koalicione.

Por vetëm VMRO-DPMNE, LSDM, BDI, VLEN, ZNAM dhe Levica, parashikohet të marrin vende në parlament. Koalicioni më i mundshëm për të formuar një qeveri, do të ishte midis VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM. Bazuar në sondazhet e fundit, ato ka të ngjarë të arrijnë një shumicë komode prej 75 vendesh në parlamentin me 120 vende.

VMRO-DPMNE ka kohë që është treguar e hapur për të punuar me VLEN dhe ZNAM. Por përbërja shumë partiake e VLEN, do të ndërlikojë procesin e ndërtimit të koalicionit. Për më tepër, qëndrimi i VLEN-it në favor të amendamenteve kushtetuese dhe opozitës së VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it ndaj kësaj çështjeje, përbën një tjetër sfidë.

VLEN ka bërë kërkesa të tjera që VMRO-DPMNE i kundërshton, dhe ato mund të bëhen një faktor përcaktues për koalicionin. Së pari, VLEN kërkon që presidenti të zgjidhet nga parlamenti dhe jo nga populli. Së dyti, synon të riformulojë Marrëveshjen e Ohrit të nënshkruar në 2001, në mënyrë që të thuhet hapur që shqipja është gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut, duke frazën aktuale që thotë tërthorazi se “çdo gjuhë e folur nga të paktën 20 për qind e popullsisë, është gjithashtu gjuhë zyrtare”.

Çfarëdolloj koalicioni që do të formohet në fund, nuk ka gjasa të ketë vota të mjaftueshme në parlament për të miratuar ndryshimet kushtetuese, të cilat do të kërkonin një shumicë prej dy të tretash. Partitë në favor të amendamenteve (LSDM, BDI dhe VLEN) parashikohet të fitojnë vetëm 53 vende, dhe do të duhet të bindin thuajse 30 deputetë të tjerë që të ndryshojnë qëndrimin e tyre për të miratuar amendamentet.

Dhe ky do të ishte një mision shumë i vështirë, duke pasur parasysh se partitë në favor të amendamenteve, kanë tani më shumë se 60 anëtarë në parlament, dhe sërish nuk ia kanë dalë të kalojnë ndryshimet. Ndërsa kjo çështje ishte në qendër të fushatës zgjedhore, partitë politike e shtuan retorikën nacionaliste.

Teksa VMRO-DPMNE është gati të ri-ngjitet në pushtet, pranimi i vendit në BE mbetet i dyshimtë. Nuk ka gjasa që qeveria e ardhshme të ketë sukses apo të ri-negociojë procesin e pranimit të BE-së apo të kalojë ndryshimet kushtetuese, derisa vendi të jetë realisht në prag të anëtarësimit.

Historia e kohëve të fundit, na ka treguar se kur përparimi drejt hyrjes në BE, ndalet për shkak të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, Maqedonia e Veriut mund të marrë një kthesë jodemokratike dhe të humbasë jo pak vite të tjera në ‘dhomën e pritjes’ së unionit.

Sa herë që afrohen zgjedhjet, shqetësimet e përditshme të qytetarëve  – shëndetësia, ekonomia, emigracioni i të rinjve, mjedisi dhe lufta kundër korrupsionit – kalojnë në plan të dytë. Por pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, polarizimi politik do të vazhdojë, dhe integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE, ka të ngjarë të mbetet i bllokuar edhe për të ardhmen e parashikueshme./ “Atlantic Council”

Publikuar nga Publik Media