E hënë, 26 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ndalimi i celularëve, avokatët bojkotojnë pa afat GJKKO-në
Lajme

Ndalimi i celularëve, avokatët bojkotojnë pa afat GJKKO-në

Nga sot hyn në fuqi bojkoti pa afat i avokatëve ndaj seancave gjyqësore që zhvillohen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë, i cili kundërshton rregulloren e re të GJKKO-së dhe veçanërisht dispozitën që ndalon avokatët të mbajnë celularët në sallat e gjyqit.

Sipas avokatëve, kufizimet e vendosura nga rregullorja ndikojnë drejtpërdrejt në ushtrimin e profesionit dhe vështirësojnë përdorimin e mjeteve të nevojshme gjatë proceseve gjyqësore. Ata argumentojnë se disa prej parashikimeve të reja bien ndesh me dispozitat ligjore dhe parimet kushtetuese.

Bojkoti do të vijojë deri në momentin kur rregullorja të pezullohet. Megjithatë, vendimi nuk do të shtrihet mbi seancat për caktimin apo vlerësimin e masave të sigurisë.

Këto seanca do të zhvillohen normalisht, me qëllim që personat e arrestuar të mos mbeten pa u paraqitur përpara gjykatës dhe të mos cenohen të drejtat e tyre procedurale.

Dhoma e Avokatisë kishte kërkuar më herët rishikimin e rregullores së re, por pretendon se nuk ka marrë një përgjigje nga GJKKO. Në kuadër të vendimit për bojkot, avokatët që nuk e respektojnë atë rrezikojnë edhe masa disiplinore.

Rregullorja e re e GJKKO-së nuk prek vetëm avokatët. Ajo përcakton rregulla të reja edhe për hyrjen në godinën e gjykatës, ndjekjen e seancave dhe aktivitetin e medias, përfshirë kufizimet për përdorimin dhe mbajtjen e celularëve.

Përmbajtja e rregullores ka shkaktuar reagime edhe nga mediat dhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve, të cilat kanë ngritur shqetësime për ndikimin që këto kufizime mund të kenë mbi raportimin dhe të drejtën e informimit.

Gazetarët që mbulojnë aktivitetin e GJKKO-së kanë kundërshtuar gjithashtu rregullat e reja, duke refuzuar procesin e akreditimit për ndjekjen e seancave gjyqësore.

Në këtë mënyrë, përplasja rreth rregullores së re të GJKKO-së ka kaluar përtej debatit mes gjykatës dhe avokatëve, duke përfshirë edhe median dhe mënyrën e ushtrimit të profesionit të tyre brenda ambienteve të gjykatës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.