Në Spitalin e Prrenjasit nuk kryhen analizat, rrezikon akreditimin
Një denoncim shqetësues është bërë publik lidhur me situatën në Spitalin e Prrenjasit, ku pretendohet se aktualisht nuk kryhen analizat laboratorike për pacientët.
Sipas gazetarit Osman Stafa, burime pranë këtij institucioni bëjnë me dije se spitali pritet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit gjatë ditëve në vijim. Në rast se nuk arrin të përmbushë standardet e kërkuara, ai pretendohet se rrezikon të humbasë statusin si spital.
Një zhvillim i tillë do të krijonte pasoja serioze për banorët e Prrenjasit dhe të zonave përreth, të cilët do të detyroheshin të udhëtonin drejt qyteteve të tjera edhe për shërbimet bazë shëndetësore.
“Pasi nëse Prrenjasit i heq bashkinë dhe spitalin, e ke vdekur”, shkruan Stafa, duke ngritur alarmin për degradimin e shërbimeve publike në këtë zonë.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga drejtoria e spitalit apo Ministria e Shëndetësisë lidhur me pretendimet për mungesën e analizave dhe rrezikun e moskalimit të akreditimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


